23-11-2024

Belgjikë-Angli, radha e finales së vogël të Botërorit

Kampionati Botëror po i drejtohet fundit të tij, që do të kulmojë me finalen e madhe të Moskës, në program për t’u luajtur nesër në orën 17:00, në stadiumin “Luzhniki”, ku Franca dhe Kroacia do të diskutojnë trofeun më të rëndësishëm të globit.

Gjithsesi sot është radha për finalen e vogël, sfidën për vendin e tretë, që do të diskutohet mes Belgjikës dhe Anglisë, dy skuadrat gjysmëfinaliste të kompeticionit.

Kjo sfidë do të startojë në orën 16:00, në Shën Petërsburg dhe do të jetë e vetmja përballje në këtë Botëror, që zhvillohet për herë të dytë. Kjo pasi Belgjika dhe Anglia ishin së bashku në grupin G dhe u ndeshën me njëra-tjetrën më 28 Qershor.

Atëherë ndeshja do të përfundonte me rezultatin 1-0 për belgët, falë një goli spektakolar të shënuar nga Adnan Januzaj, por për shkak të pozitave në renditje, të dy trajnerët bënë ndryshime të shumta në formacion, pasi nuk ishin të interesuara për të triumfuar, sepse e kishin siguruar më herët kualifikimin.

Këtë herë dy skuadrat vijnë në një situatë tërësisht ndryshe, dhe shumë të nervozuara për faktin që i ndau fare pak nga finalja e madhe. Natyrisht që shumë do të varet nga motivimi i lojtarëve në fushë, të cilët tashmë kanë filluar të mendojnë edhe për pushimet, por për emrat që pritet të zbresin në fushë, pritet të jetë një sfidë mjaft interesante, që do të dhurojë spektakël./Top Channel/

Asnjë koment

Comments are closed.