Berjani: Çmimi i naftës pritet të bie ditëve në vijim

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i derivateve të naftës do të bie në ditët në vijim, pasi siç tha ai, dy ditët e fundit ka pasur rënie të çmimit të naftës për 120 dollarë.

“Dje, pardje dhe sot kemi ulje të çmimeve në Berzë për 150 dollarë, kështu që kjo pritet të reflektojë edhe tek ne ditët në vijim”, tha Berjani në një prononcim për Klan Kosovën.

“Çmimi furnizues sot sillet në 1 euro e 54 cent deri në 1 euro e 55 cent “, tregoi Berjani.

Tutje Berjani shpjegoi se pse çmimi nuk ulet edhe në pikat e derivateve në momentet që ulet në Berzë.

“Rritja po reflekton shumë shpejt, ndërsa zbritja më ngadalë, për shkak se bizneset kinse kanë stoqe me çmim më të lartë, dhe nuk mund të japin me një çmim më të lirë brenda ditës”, u shpreh ai.

“Ne nuk mund të themi se çfarë çmimesh do të kemi ditët në vijim, mund të themi se nëse lufta Ukrainë – Rusi përfundon, stabilizohet tregu i naftës në tërë globin”, përfundoi Berjani.