Bien çmimet e banesave në Evropë
Rritja e fortë, në disa vende lindore dhe jugore, u kompensua nga rëniet në shumë shtete veriore të BE-së.
Vitin e kaluar çmimet e banesave në Evropë ranë për herë të parë në një dekadë, pasi rritja e fortë në tregjet e pronave të disa vendeve lindore dhe jugore u maskua nga rëniet në shumë shtete veriore të BE-së.
Çmimet e pronave rezidenciale ranë 0.3 % në BE në vitin 2023 dhe 1.1 % në Eurozonë, sipas të dhënave nga Eurostat, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Tregu i banesave në Gjermani ishte një nga më të goditurit, me rënie 8.4 % në bazë vjetore, i dyti vetëm pas Luksemburgut, me rënie 9.1 %. Ai u pasua nga Finlanda, me 5.6 % dhe Suedia me 5.3 %.
Megjithatë, çmimet u rritën në disa vende, duke përfshirë Kroacinë, Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Portugalinë, ku u rritën midis 8 dhe 12 %.
Lexo Edhe:
Arrestohet një person i dyshuar nga Antidroga e Policisë së Kosovës, transportonte heroinë
Ekonomistët thanë se rritja më e fortë ekonomike në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, në vitet e fundit, kishte ndihmuar që tregjet e tyre të banesave të vazhdonin të rriteshin, ndërsa vendet kryesore – si Gjermania dhe Franca – kishin vuajtur nga stagnimi ose një rritje e dobët.
Ricardo Amaro nga Oxford Economics, tha se “dinamika e ofertës”, mund të ndihmojë për të shpjeguar performancën e mirë të tregjeve të banesave të disa vendeve, veçanërisht në Evropën Jugore “ku ndërtimet e reja, kanë qenë të dobëta”.
Kroacia ka pasur një fluks investimesh, që nga fillimi i përdorimit të Euros në janar 2023. Tregu i banesave në Portugali, është rritur nga stimujt e taksave, për blerësit e shtëpive të dyta dhe oferta e “vizave të arta” për të huajt e pasur, që blejnë prona, të cilat qeveria po i heq.
Tregu i banesave në Poloni, po “përfitonte si nga rritja e fortë ekonomike, ashtu edhe nga rritja, e dy uljeve të normave të interesit vitin e kaluar”, tha Carsten Brzeski, kreu global i kërkimit makro në bankën holandeze ING.
Çmimet e shtëpive, kishin rënë më shumë në disa vende – si Gjermania – pasi fitimet e mëdha, i lanë ato të duken të mbivlerësuara, krahasuar me qiratë ose të ardhurat e familjeve, tha Andrew Kenningham nga Capital Economics.
“Në të kundërt, në disa ekonomi të Eurozonës jugore – si Spanja – ato ende ishin mjaft të ulëta dhe nuk ishin rimëkëmbur plotësisht nga ndryshimet e mëdha të tregut të banesave, gjatë krizës globale financiare dhe krizës së Eurozonës”, tha ai.
Disa vende – si Italia apo Finlanda – kanë çmime të banesave në nivele të ngjashme me ato të një dekade më parë, ndërsa të tjera si Polonia, Portugalia dhe Lituania, kanë dëshmuar më shumë se dyfishim të çmimeve të pronave të banimit.
Eurostat nuk përfshiu të dhënat e Greqisë. Por, tregu i banesave në Greqi ka qenë një nga më të fuqishmit në rajon, sipas të dhënave nga Banka e Greqisë, e cila kohët e fundit tregoi se çmimet e pronave të banimit u rritën 13.4 % vitin e kaluar.
Ndryshimet e kohëve të fundit në tregun e banesave të Eurozonës ka qenë shumë më pak i rëndë se sa u prit fillimisht, pavarësisht nga rritja e çmimeve pothuajse 50 %, në dekadën pas fillimit të krizës së borxhit sovran të rajonit në 2012.
Në bazë tremujore, çmimet e BE-së ranë 0.3 % në tre muajt e fundit të 2023, krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe çmimet e Eurozonës ranë me 0.7 %.
Çmimet arritën kulmin në tremujorin e tretë të 2022, menjëherë pasi Banka Qendrore Evropiane filloi të rrisë normat e interesit në përgjigje të rritjes më të madhe të inflacionit.
Kritikët e BQE-së fajësuan politikën e pashtrënguar deri në vitin 2022 për fryrjen e çmimeve të aktiveve, veçanërisht pronave, gjatë dekadës së fundit. Por, që kur banka qendrore, filloi të rrisë normën e saj standarde të depozitave, për të arritur një nivel rekord prej 4 % vitin e kaluar, çmimet e banesave në Eurozonë, kanë rënë vetëm 2.9 %.
Ka shenja se çmimet e banesave, po rikuperoheshin në Gjermani në fillim të këtij viti, pasi huadhënësit e vendit, ulën normat e hipotekave, ndërsa ndërmjetësi Interhyp, tha se janari ishte muaji më i ngarkuar ndonjëherë për kërkesat e klientëve.