Bislimi kërkesë deputetëve: Ndihmona, bëni presion Prokurorisë ta publikojë raportin për Banjskën
Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipi negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane.
Gjatë raportimit të tij, Bislimi ka thënë se Kosova ka dërguar një raport 48 faqesh në Bashkimin Evropian, lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke e përcjellë atë te çdo vend anëtar dhe të çdo ambasadë në Bruksel.
Zëvendëskryeministri ka thënë se publikimin e këtij raportin e bën Prokuroria dhe jo Qeveria, andaj ka kërkuar nga deputetët që të bëjnë presion ky raport të publikohet dhe të nxirret fletëarresti për Radoiçiqin dhe të gjithë të tjerët të përfshirë.
“Ne kemi dërgu 48 faqe raport për Banjskën në Bashkimin Evropian dhe secilit shtet anëtar dhe secilës Ambasadë në Bruksel, pra 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me e bo prokurori, prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publikoni, bëni edhe ju që të publikohet raporti. Ndihmona që Prokuroria ta publikojë raportin ta nxjerrë fletëarrestin për Radoiçiqin dhe të gjithë kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim që Radoiçqi të mos sillet i lirë, sepse sa kohë sillet i lirë, Serbia përgatittë e trajton të rinj nëpër kampet e veta rreziku i sigurisë ekziston”, tha Bislimi./ Gazeta Sinjali