25-11-2024

Borrelli shkruan për “dinamikën e re” për Ballkanin, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Përmes një postimi në blogun e tij në uebfaqen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se e sheh të nevojshme një qasje të re të Evropës për Ballkanin Perëndimor, pas takimit që pati me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të martën. Sa i përket çështjes së Kosovës, Borrell ka kërkuar veprime për liberalizim të vizave.

Për takimin – me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, atë të Shqipërisë Edi Rama, të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, të Serbisë Ana Bërnabiq, presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe kreun e Këshillit të ministrave në Bosnje e Hercegovinë Zoran Tegeltija – Borrell ka thënë se ka qenë me rëndësi që të takohet pasi “rajoni është edhe njëherë në udhëkryq sa i përket integrimit evropian”.

“Doja të diskutoja hapur dhe jozyrtarisht me liderët e Ballkanit Perëndimor për shqetësimet dhe propozimet e tyre për rajonin dhe të ardhmen evropiane, si dhe për një për qasje më strategjike për politikën e jashtme evropiane”, ka thënë ai në blogun e tij, ku ka theksuar se të gjithë liderët kanë zgjedhur integrimin evropian në majë të agjendave të tyre.

Duke e konsideruar të brishtë rajonin, Borrelli ka thënë se pas luftërave dhe aspiratave ruse e kineze për ndërhyrje në këtë rajon, edhe pandemia ka përkeqësuar situatën. Sërish e ka cilësuar të rrezikshme idenë për korrigjim kufijsh në baza etnike, duke thënë se kjo është e kundërta e asaj për çka qëndron integrimi evropian.

Për Shqipërinë e Maqedoninë ka thënë se po presin avancime në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa kur ka folur për Kosovën ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave është vonuar. Edhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë, Borrelli e ka konsideruar si të tillë, ndërsa ka konfirmuar takimin e qershorit në kuadër të dialogut mes dy shteteve.

Borrelli ka thënë se e mirëkupton thirrjen e liderëve të Ballkanit që shtetet anëtare të BE-së të planifikojnë një të ardhme të përbashkët dhe t’i kuptojnë më mirë problemet e rajonit.

Ai në fund ka paralajmëruar një vizitë në rajon në muajin korrik.

Asnjë koment

Comments are closed.