03-12-2024

“Botërori i befasive”, sot luhen Spanjë-Rusi dhe Kroaci-Danimarkë

Dita e parë e fazës së 1/8-ave nxori jashtë Botërorit yje si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, pasi Argjentina dhe Portugalia u eliminuan respektivisht nga Franca dhe Uruguai, duke lënë kompeticionin pa asnjë fitues të Topit të Artë.

Sot do të jetë radha e të zotëve të shtëpisë, Rusisë, që të përballet me Spanjën, në orën 16:00, në Luzhniki Arena të Moskës. Rusia e mbylli fazën në grupe në vendin e dytë, pasi fitoi dy takimet e para, por u mposht me rezultatin e thellë 0-3 nga Uruguai, në takimin e fundit. Si vendasit, ashtu edhe Spanja, në ndeshjet në grupe treguan se kanë një repart sulmues që funksionon mjaft mirë, por mbrojtje që “fut shumë ujë”.

Rusia do të provojë të përfitojë nga mbështetja e publikut, pasi rreth 70% e atyre 90 mijë tifozëve që do të mbushin Luzhnikin, do të jenë vendas. Nga ana tjetër, Hierro deklaroi se ka punuar shumë dhe se pret më shumë përqendrim nga reparti defensiv, që ka pësuar 5 gola në 3 takimet e para.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në Nizhny Novgorod, ku Kroacia e Zlatko Daliç do të përballet me Danimarkën. Ballkanasit e kaluan grupin me p[ikë të plota dhe në këtë botëror po tregojnë se janë në një formë spektakolare.

Triumfi me rezultatin e thellë 3-0 i ka dhënë zemër kroatëve, që tani besojnë më shumë në aftësitë e tyre dhe nuk e kanë fshehur dëshirën për të synuar t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni.

Ndryshe nga Kroacia, Danimarka u kualifikua në fazën e 1/8-ave falë asaj që quhet “biskota”, pra barazimit pa gola me Francën, rezultat që respektoi planet e të dy skuadrave.

Danimarka mund të cilësohet padyshim si një nga skuadrat më të mërzitshme për t’u parë, pasi në 3 takime, ka shënuar dy gola dhe ka pësuar vetëm një. Nordikët janë shumë të varur nga fantazisti i Tottenhamit, Erikssen, nga këmbët e të cilit presin që të vijën golat, por ndaj Kroacisë do ta kenë vërtetë të vështirë./top-channel/

 

Asnjë koment

Comments are closed.