26-11-2024

“Burdushi” kundërshton aktakuzën për mashtrim dhe pasurim të kundërligjshëm deri në një milion euro

Hysri Peqani i njohur si “Burdushi”, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Durim Osmani ka kundërshtuar, në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

PSRK-ja, Peqanin po e ngarkon me veprat penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “shpërlarje parash” dhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësit e Peqanit, avokatët Durim Osmani dhe Feim Alaj në afat ligjor kishin dorëzuar kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, të cilën kërkesë përmes përgjigjes, e kishte kundërshtuar edhe prokurorja speciale Merita Bina-Rugova.

Avokati Osmani në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se disa prova të propozuara nga ana e PSRK-së ishin prova të papranueshme.

Sipas tij, provat që ishin marrë gjatë procesit të konfiskimit ishin marrë pa pasur kushte për urdhër kontroll në kohën kur ishte nxjerrë aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e PSRK-së, ngase sipas tij, në arsyetimin e raportit për urdhër kontroll theksohet se informacionet e marra nga mediat kishin shërbyer si indicie për urdhër kontroll.

Për këtë arsye, sipas avokatit Osmani, ligji përcakton urdhër kontrolli mund të bëhet pa ndonjë akt të vlefshëm si arratisja e të pandehurit apo vepra penale në flagrancë, por të cilat sipas tij, nuk përkonin me arsyetimin e këtij raporti.

“Të gjitha provat nga ky urdhër kontroll janë të papranueshme, është vendimi për caktimin e ekspertit është provë e papranueshme, sepse nuk kërkohet vetëm të njoftohet mbrojtja për përzgjedhjen e ekspertit, por edhet për vet ekspertizën dhe mundësinë e kundërshtimit të saj”, ka thënë Osmani.

Ai ka kundërshtuar si prova të papranueshme edhe dëshminë e dëshmitarëve të cilat sipas tij ishin në kundërshtim të dispozitave ligjore, pasi sipas tij, mbrojtja ishte dashur të ftohej gjatë marrjes së këtyre deklaratave.

Avokati Osmani ka thënë se me asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohet se veprat penale ishte kryer në periudhat e cekura në aktakuzën e PSRK-së.

Po ashtu, në lidhje me veprën penale “shpërlarje e parave”, sipas avokatit Osmani blerja e sendeve të caktuara nuk nënkupton se i mbrojturi i tij ka kryer këtë vepër penale.

Prokurorja speciale Bina -Rugova, ka thënë se deklarimi i avokatit Osmani ishte vetëm përsëritje e pohimeve të shkruara në kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, prandaj sipas saj, ajo edhe i kishte dhënë përgjigjet e saja të cilat i kishte kundërshtuar.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti ka deklaruar se lidhur me kërkesën e mbrojtjes do të merr vendim të shkruar dhe të arsyetuar.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 30 tetor 2020, i akuzuari Peqani ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë ti paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3000 euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpërlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Asnjë koment

Comments are closed.