26-04-2024

Burg për autorët e tentim vrasjes në Suharekë

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti  i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykimin  dënues ndaj të akuzuarit me iniciale F.B. nga Suhareka,  për shkak të  veprës të vrasjes në tentativë, si dhe të akuzuarin me iniciale A.D. për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë në ndihmë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Të  akuzuarin me iniciale F.B., nga  Suhareka,  gjykata e  ka shpallur fajtor  dhe e ka dënuar me  dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Të akuzuarit me iniciale A.D po ashtu nga Suhareka, gjykata ia shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej pre 2 (dy) vite e gjashtë muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në njoftimin e gjykatës, thuhet se akuzuara me iniciale  L.B. lirohet nga akuza, pasi nuk është provuar se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se me datën  29.10.2018, rreth orës 22:10 minuta, në Suharekë në rrugën “Skënderbeu” të akuzuarit e lartpërmendur pas një mosmarrëveshje paraprake, i akuzuari me iniciale F.B. si kryerës i veprës penale, ndërsa i akuzuari me iniciale A.D si ndihmës i kryerësit me dashje kanë tentuar ta privojnë nga jeta G.M. vëllain e  tij, F.M. dhe vjehrrin e tij me iniciale T.P.

“E akuzuara me iniciale L.B. pas një konflikti që kishte rreth pronësisë dhe kthimit të automjetit “Mercedes” me F.M., pasi që e paraqet rastin në polici i thërret në ndihmë shokët, të akuzuarit me iniciale A.D. dhe F.B kështu që me automjetin “Mercedes benz” të cilin e drejtonte i akuzuari A.D. e përcjellin me shpejtësi automjetin “Ford” i cili po lëvizte para tij dhe në një moment i akuzuar A.D. ia jep pistoletën të akuzuarit F.B. i cili qëllon në drejtim të automjetit “Ford” në të cilin ishte G.M. duke drejtuar automjetin ku si pasagjer pran tij ishte edhe vjehrri i tij me iniciale T.P me ç’rast nga të shtënat është goditur parafango e prapme e automjetit “Ford” me predhë të mbetur në  mekanizmin e fshesës së xhamit”, thuhet në kumtesën e Gjykatës në Prizren./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.