25-04-2024

Caktohet ekspertizë gjeodezike në rastin ku po kërkohet kompensim për paluajtshmërinë e shpronësuar nga Komuna e Suharekës

Ekspertizë gjeodezike do të bëhet në rastin ku paditësi Qamil Kukaj po kërkon nga e paditura, Komuna e Suharekës, kompensim për paluajtshmërinë të cilën e kishte shpronësuar kohë më parë.

Propozimin për caktimin e kësaj ekspertize e ka bërë i autorizuari i paditësit Kukaj, avokati Natal Bullakaj, në seancën përgatitore të së premtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, avokati Bullakaj ka deklaruar se mbetet në tërësi si në padi dhe në kërkesëpadi, duke i propozuar gjykatës që si provë material të nxjerr ekspertizë me ekspert gjeodet, për të konstatuar faktin se sa sipërfaqe iu kanë marrë paditësit për rrugë, në fshatin Gelancë të Komunës së Suharekës.

Me qëllim të ekonomizimit të procedurës, avokati Bullakaj ka kërkuar që të caktohet një gjeodet nga zyra e gjeodezisë e Komunës së Suharekës.

Ndërsa, i autorizuari i të paditurës, avokati Qazim Hasanaj ka deklaruar se me të pranuar padinë e paditësit, zyra e avokatit të komunës me kërkesë i është drejtuar Drejtorisë për Shërbime Pronësore- Juridike dhe Kadastër, me të cilën kanë kërkuar një përgjigje se a është udhëhequr ndonjë procedurë lidhur me marrjen e kësaj ngastre dhe e njëjta a është kompensuar, mirëpo të njëjtit janë përgjigjur se nuk kanë ndonjë shkresë materiale me të cilën do të vërtetohet se është zhvilluar procedura e shpronësimit dhe kompensimit të ngastrës kadastrale.

Gjykatësi Shaban Zeqiraj ka aprovuar propozimin e të autorizuarit të paditësit që me ekspertin gjeodet nga Komuna e Suharekës të dilet në teren për të evidentuar ngastrën kadastrale, pa praninë e të autorizuarve të ndërgjyqësve.

Ndryshe, sipas padisë, paditësit gjatë ndërtimit të rrugës së fshatit  Gelancë kanë marrë pjesë të parcelave për nevoja të rrugës dhe me rastin e ndërtimit të rrugës është hyrë mes dy parcelave P-00281 dhe 282/2.

Në këto rrethana, paditësi nga Gjykata Themelore në Prizren dega në Suharekë ka kërkuar që të marr një vendim dhe t’ia caktoj të njëjtës kompensimin për paluajtshmërinë e eksproprijuar. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.