26-04-2024

Caktohet kryetari i Degës së PDK-së në Rahovec

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Gjatë kësaj mbledhje u fol edhe për krizën e rëndë ekonomike me të cilën po ballafaqohen qytetarët e Kosovës, rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike dhe indiferencën e Qeverisë për të marrë hapa konkret që lehtësojnë këtë gjendje.

Kryetari Memli Krasniqi diskutoi me anëtarët e Kryesisë edhe për procesin e Vetingut, për të cilin tha se një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias.

Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të Partisë Demokratike të Kosovës, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktoj udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së në Rahovec, me kryetar Edon Cana.

Me këtë rast, Kryesia e PDK-së ka shprehur konsideratën dhe vlerësimin për punën e pandalshme të ish-kryetarit të Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska i cili deri tani ka udhëhequr Degën e PDK-së në Rahovec.

Kryetari dhe Kryesia e Re në Degën e PDK-së në Rahovec ka përgjegjësi të konsolidoj të gjitha strukturat e Degës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në Partinë Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e angazhuar që krahas reformimit të brendshëm, të vazhdojë punën e saj në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat relevante.

Asnjë koment

Comments are closed.