03-05-2024

“Çështja Prochaska” – përplasja në Prizren që për pak sa nuk e nisi Luftën e Madhe Botërore

Dhjetëra liderë botërorë u grumbulluan gjatë javës së shkuar në Paris për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ata përkujtuan armëpushimin e 11 nëntorit të vitit 1918, i cili i dha fund luftës katërvjeçare, gjatë së cilës u vranë miliona ushtarë e civilë.

Atentati ndaj Franz Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, më 28 qershor 1914, në Sarajevë, nga historianët shihet si finalja e përplasjeve mes Monarkisë Dualiste dhe Serbisë së përkrahur nga Rusia, që solli me vete krizën, ku vendimet e mëpasme të fuqive të mëdha evropiane rezultuan me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por historianët kujtojnë se përplasjet e Austro-Hungarisë me Serbinë në fillim të shekullit XX kanë qenë të numërta. Një mosmarrëveshje diplomatike mes tyre ka ndodhur edhe në Prizren, në fund të vitit 1912, që tani njihet si “Çështja Prochaska”, e që përfshinte fatin e konsullit austro-hungarez në këtë qytet, Oskar Prochaska.

Sipas të dhënave të publikuara në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Luftës së Parë Botërore nga autori Richard C. Hall, thuhet se “Çështja Prochaska” i solli Austro-Hungarinë dhe Serbinë në prag të luftës. Njëkohësisht pohohet se ky incident ka qenë paralajmërues i një konflikti të ardhshëm dhe se ngjarjet e ngjashme rezultuan me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, vetëm 18 muaj më pas.

Austro-Hungaria pengesë e planeve serbomëdha të Beogradit

Historiani kosovar Sylë Ukshini thotë se “Çështja Prochaska” bënte pjesë në vargun e incidenteve dhe konflikteve ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë, që kishin për synim zgjerimin e influencës në rajonin e Ballkanit një shekull më parë. “‘Rasti Prochaska’ shpërfaq thellësinë dhe rivalitetin austro-hungarez dhe atë serb, që vetëm një vit e gjysmë më vonë kulmoi me luftë botërore”, ka thënë Ukshini.

Ai pohon se në kuadër të zhvillimeve të Luftës së Parë Ballkanike dhe të intencave për krijimin e avantazheve sa më të mëdha në prag të Konferencës Ndërkombëtare të Londrës, Qeveria serbe është kujdesur në çdo mënyrë që ta vinte në pozitë të vështirë Austro-Hungarinë, e cila ishte bërë barrierë e planeve serbomëdha në Ballkan.

Asnjë koment

Comments are closed.