23-11-2024

Çfarë cilësie ka uji i pijes në rajonin e Prizrenit?

Në raportin vjetor të publikuar për cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë për vitin 2017, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, flitet edhe për gjendjen sa i përket rajonit të Prizrenit, shkruan  “GazetaePrizrenit.net”.

Referuar raportit konstatohet se, krahasuar me vitin paraprak, rezultatet e monitorimit, gjatë vitit të kaluar tregojnë një përmirësim të cilësisë së ujit të furnizuar nga shtatë Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, ku bën pjesë edhe “Hidroregjioni Jugor”, që mbulon një pjesë të rajonit tonë.

Bazuar në rezultatet e monitorimit të kryer nga Qendra e Ujit e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), cilësia e ujit për vitin 2017 është rreth 99 % në përputhshmëri me vlerat parametrike për ujin e pijshëm.

Në zonën e shërbimit të KRU “Hidroregjioni Jugor” janë përcaktuar 4 zona të furnizimit me ujë, përfshirë qytetin e Prizrenit me fshatra, si dhe komunat e Dragashit, Malishevës dhe Suharekës

Sa i përket cilësisë së ujit në këtë zonën furnizuese, në raport del se cilësia mikrobiologjike e ujit me shkallë të përputhshmërisë prej 99.35 % është në nivelin mesatar të vendit, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

“Në kuptimin territorial, përputhshmëria mikrobiologjike ishte në nivel të kënaqshëm në komunën e Prizrenit, ndërkaq në komunat tjera në një nivel më të ulët, si pasojë e problemit të dezinfektimit joadekuat”, thuhet në raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës

Në raport thuhet se shkalla e përputhshmërisë për parametrat kimik në nivelin prej 99.03% indikon një cilësi të lartë të ujit të furnizuar, e cila është pothuajse uniforme në të gjithë zonën e shërbimit. /GazetaePrizrenit.net/.

Asnjë koment

Comments are closed.