02-12-2024

Kukësi, rrezikohet Europa League. Gjeorgjia bllokon vizat

Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në garë në kupat e futbollit kontinental përballet me një problem jashtë fushe, që mund të cënojë rrugëtimin e saj.

Kukësi ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes së turit të tretë të Europa League me Torpedo Kutaisin, pasi 4 lojtarë të formacionit verilindor nuk kanë marrë viza nga shteti gjeorgjian.

“Katër lojtarë të ekipit tonë nuk janë pajisur me vizë hyrëse nga autoritetet gjeorgjiane. Konkretisht Fait Reginaldo nga Mozambiku; Valon Ethemi dhe Edis Maliqi nga Maqedonia; si dhe Fatjon Maloku nga Kosova. Është shkëmbyer i gjithë dokumentacioni i duhur me klubin pritës dhe Konsullatën gjeorgjiane në Stamboll, atë shqiptare në Stamboll, kemi vënë në dijeni Ministrinë shqiptare të Jashtme, sikurse dhe delegatin e UEFA-s, që të na ndihmojnë në përshpejtimin e marrjes së vizave. Nga klubi dhe autoritetet gjeorgjiane na është premtuar se ky problem do të zgjidhet, por nisur nga kjo situatë, në rast të mosdhënies së vizave për këta lojtarë, ndeshja duhet të shtyhet”, shkruhet në komunikatën e Kukësit.

Sipas verilindorëve, arsye që nuk kanë të bëjnë aspak me futbollin po cënojnë aventurën europiane të klubit, për gjeste që dëmtojnë lojën më popullore në planet dhe cënojnë “Fair Play”-n. Ndeshja mes Torpedo Kutaisit dhe Kukësit është programuar nga UEFA të luhet më 9 gusht, në orën 21:00./ TopChannel

Asnjë koment

Comments are closed.