27-09-2021

Çfarë parashohin sondazhet për rezultatin midis Haskukës e Totajt?

Sondazhet për zgjedhjet e 17 tetorit e qesin LDK-në favorite në më së shumti komuna. LVV-ja qëndron mirë në tri komuna të mëdha, përfshirë kryeqytetin. Megjithatë, në të tri këto qytete duket se i duhet të luftojë deri në fund. PDK e sfidon seriozisht LVV-në në Mitrovicë dhe në Prizren.

Lidhja Demokratike e Kosovës historikisht del në zgjedhjet lokale më mirë, se në ato nacionale. Me aq sa thonë matjet e para, kjo do ta ndjekë edhe në këto palë zgjedhje.

Mund të jetë një imazh i teksti

Sipas sondazheve të një kompanie ndërkombëtare, të cilat i ka parë Gazeta Express, LDK pritet të mbajë komunat që i ka qeverisur në 4-vjetëshin e fundit. LDK-ja, që tash drejtohet prej Lumir Abdixhikut, prin në Gjilan, Viti, Lipjan, Fushë – Kosove e Pejë. Ajo del e para edhe në Vushtrri, por pritet që gara të shkojë edhe në një rund tjetër aty.

LDK-ja prin edhe në Istog, aty ku nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. Megjithatë duket se në qytetin e Ibrahim Rugovës, kësaj radhe do të mundohet pak më shumë. Kandidati i saj, Ilir Ferati, që është djali i ish-kryetarit të Istogut, Fadil Ferati, pritet të shkojë në balotazh.

Gazmend Muhaxheri pritet që ta mbajë fronin në Pejë përballë Rrustem Berishës së AAK’së, derisa Vetëvendosje me Gazmend Agushollin nuk shihet si favorite.

Garë e fortë mes LDK-së dhe Lëvizjës Vetëvendosje rikthehet në Podujevën, që Albin Kurti e mori për herë të parë nga duart e LDK-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën para një viti.

Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, është në garë të ngushtë me kryetarin e tanishëm, Shpejtim Bulliqin. Podujeva pritet të shkojë në balotazh dhe kryetari të zgjidhet mes LVV-së dhe LDK-së.

LVV, që në zgjedhjet e përgjithshme mori 50.02 për qind të votave, në lokalet po prin në tri komunat që i pati fituar edhe para katër vitesh. Megjithatë, matjet thonë se Prishtina, Mitrovica dhe Podujeva, do të shkojnë ne balotazh.

Në Prishtinë, kandidati i LVV-së, Arben Vitia, ka rival kryesor Përparim Ramën e LDK-së.

Në Mitrovicë dhe Prizren, LVV-ja sfidohet prej kandidatëve të PDK-së. Bedri Hamza pritet të shkojë në balotazh me Agim Bahtirin. 

Ndërkaq, kryetari i tanishëm i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është në garë të ngushtë me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totajn.

PDK-ja, sipas matjeve, prin në Ferizaj, Drenas dhe Skenderaj. Është favorite edhe në Kaçanik dhe Dragash.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është favorite në Suharekë, Rahovec, Klinë dhe Deçan.

Edhe në komunën e Gjakovës prin kryetari aktual, Ardian Gjini, që vjen nga radhët e AAK-së. Ai lë mbrapa kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusarin, e cila ka qenë kryetare e Gjakovës më herët.

Kamenicën pritet ta fitojë sërish Qëndron Kastrati i Partisë Socialdemokrate.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.