Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar të komunave, për 20 komuna.
Me përjashtim të Dragashit, në komunat tjera të rajonit tashmë dihen kryetarët e rinj. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që t’i anulojë votat e diasporës për Dragashin, pas ankesës së kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune se ato ishin të manipuluara, raporton Gazeta e Prizrenit.
Në komunën e Prizrenit është shpallur fitues Shaqir Totaj (PDK), në Rahovec, Smajl Latifi (AAK), në Malishevë – Ekrem Kastrati (NISMA), në Mamushë – Abdulhadi Krasniq (KDTP). Në rrethin e parë votues, ndërkaq Bali Muharremaj (AAK) fitoi pa balotazh.
Siç shihet, Totaj në Prizren e Kastrati në Malishevë, do ta marrin për herë të parin postin e të parit të komunës, ndërsa në lokalitetet tjera edhe gjatë këtij mandati do të menaxhojnë të mëparshmit: Muharremaj, Latifi e Krasniqi.
Derisa Shaqir Totaj (PDK) është shpallur fitues për Prizren, me 50.93% të votave nga KQZ, dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, pas ka bërë të ditur se do ta ushtroj të drejtën për ankesë në rezultat. Sipas tyre kjo do të bëhet duke u bazuar në ngjarje që kanë ndodhur në ditën e votimit në këtë komunë.
Diferenca e votave të Totajt ndaj Mytaher Haskukës, mbi 1 mijë sosh, është një numër i lartë për të pasur ndonjë ndryshim rezultati, megjithëse duhet pritur vendimin.
Siç dihet në Prizren, u shpall fitues kandidati i opozitës, Totaj, pasi PDK në prag të balotazhit bëri koalicion me partnerin e saj bashkëqeverisjes, AAK-në dhe NISMËN.
Meqenëse partia e tretë për nga numri i votave, LDK qëndroi neutrale, nuk ishin të shumtë ata që prisnin përmbysjen e rezultatit prej rreth 5. 300 votash që kishte Haskuka, i përkrahur edhe nga subjektet e minoritetit turk, boshnjak e RAE (përjashtuar partinë NDS).
Një situatë e tillë e ndryshimit të rezultatit, pati ndodhur edhe me 2017, kur Totaj, që kishte mbi 5.000 vota në epërsi në balotazh, humbi nga Haskuka me vetëm rreth 260 vota. Ky rezultat mes kandidatëve për kryetarë ishte më i ngushti, që nga paslufta në Komunën e Prizrenit.
Optimizmin për një fitore të sigurt të Totajt, përkundër koalicioneve në balotazh e zbehte, ajo se si pushtetin lokal edhe atë qendror e kishte Vetëvendosja, kandidati i të cilës, Haskuka nga të gjithë kryetarët e zgjedhur të pasluftës e mbajti vetëm një mandat, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Megjithatë, pati njohës të rrethanave në Prizren, që dy muaj para zgjedhjeve e parashikuan sakt rrjedhën zgjedhore në Komunën e Prizrenit. Gazetari me përvojë, Qazim Morina, në mes të shtatorit në një debat televiziv me Haskukën, në Kanal 10, sic shihet edhe në videon e publikuar, pati parashikuar fituesin e këtyre zgjedhjeve lokale.