Çfarë solli Konkursi i parë për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Prizren?

Me 6 qershor janë bërë 6 muaj, kur  Shaqir Totaj ka marrë detyrën si Kryetar i Komunës.  Deri tash ka pasur zëra të ndryshëm për deklarime ndaj punës dhe pritshmërive për ndryshimet e paralajmëruara nga ish-qeverisja e Mytaher Haskukës, i cili për dallim nga të dy kryetarët  paraprak të pasluftës, ishte i pari që humbi pushtetin vetëm pas një mandati, duke pasur madje edhe pushtetin në qendër nga partia e tij, Vetëvendosje.

Gjysmëviti i parë i qeverisjes së Totajt u prit me interesim të madh, për të përmirësuar “të bëmat” e ish-pushtetit,  që më shumë duhet kuptuar si “të pabëmat”, meqë Haskuka u ndëshkua për mospunën katërvjeçare, të karakterizuar me vetëm disa cikërrima, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në fokus të këtij shkrimi do të jetë Konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave, që është më i madhi i shpallur deri më tash, e që në fakt edhe është testi i parë i madh i Totajt. Kjo, jo vetëm për faktin se këtu do të testohet premtimi i tij elektoral, për siç ka thënë zgjedhjen e njerëzve profesionistë e të dëshmuar dhe departizimin e arsimit, por edhe për të menaxhuar orekset dhe kalkulimet e përfolura të njerëzve të partisë dhe të disave për t’u ricikluar.

Pas 6 muajsh, kur në shkolla nuk pati fare ndryshime, madje as në honoraret e shumta që ishin trashëguar, u shpall Konkursi i shumëpritur për t’i dhënë legjitimitet menaxherëve të shkollave të cilët prej një kohe kishin mbetur si ushtrues detyre, duke bërë shkelje ligjore, të cilën Totaj e kishte kritikuar shumë sa ishte në opozitë.

Meqë përzgjedhja e drejtorëve është shumë publicistike për një qeverisje, Konkursi shfaqi një interesim të madh. Atëherë, kur pritej shpallja e kandidatëve për intervistim, u njoftua për anulimin e Konkursit në 25 shkolla, me arsyetim se kandidatët, të cilët kanë konkurruar në pozitat e lartëpërmendura nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara. Kjo ndodhi, ndonëse paralajmërimi për Konkurs ishte shpallur një muaj më parë. Kjo habiti shumëkë. Megjithatë, rishpallja u bë të nesërmen.

Vëmendja tashmë ishte përqendruar tek disa shkolla të mëdha, përfshirë edhe dy gjimnazet, ku nuk pati anulim Konkursesh. Tashmë edhe më shumë habitën rezultatet e kandidatëve të përzgjedhur për intervistim në këto shkolla. Përkundër një arsyetimi zyrtar, se kandidatët e paftuar nuk i kishin plotësuar kriteret, nuk u njoftua publikisht se për çfarë? Jozyrtarisht thuhej se atyre u mungonte ndonjë dokument, ta zëmë si kopja e letërnjoftimit, etj. Kjo ngriti dyshime.

Dyshimet ishin edhe më të mëdha pasi rezultatet u shpallen të premten, krejt në fund të orarit zyrtar të punës, që sipas disa njohësve të fushës, tentohej që gjatë fundjavës të imponohej vendimi në opinion. Ndërkohë sipas informacioneve, Kryetari Totaj për fundjavë ndodhej jashtë vendit, deri të martën kur doli në punë.

Kjo la shije të hidhur. Aq më tepër kur nga emrat e të përzgjedhurve, doli të ketë njerëz të angazhuar në struktura partiake,  përkundër që në pikën 1.7.7. të Konkursit precizohet se kandidati duhet ta ketë:  “Deklaratën në betim që vërteton se në tri vitet e fundit kandidati/ja nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike.

Përveç kësaj, nga emrat e kandidatëve në dy shkollat, ku nuk pati anulim konkursi doli të jenë krushqi të Kryetarit Totaj, familjarë të drejtorit të tij, si dhe shoqe të drejtoreshës së Arsimit.

Në çerdhen “Zambaku” për intervistë është ftuar Fahrije Bytyçi. Nga informacionet del se ajo pos që është kryetare e nëndegës së PDK-së në lagjen “11 Marsi” është edhe mikesha e Totajt, përkatësisht nëna e të fejuarës së djalit.  Në të dy lokacionet e përafërta, si në shkollën “Lekë Dukagjini” ashtu edhe në çerdhen “Zambaku”,  në krye të listës së kandidatëve qëndron emri i Arlinda Lamajt, vajza e vëllait e drejtorit për Shërbime publike, Çelë Lamajt.

Open photo

Në shfmu “L. Dukagjini” po ashtu ndër të përzgjedhurit është edhe kandidatja Vlora Kraravidaj, e cila përveçse ka qenë kandidate për kuvendare, vetë kishte deklaruar se është anëtare e kryesisë së “Degës së PDK-së në lagjen ’11 Marsi”.  Para tre muajsh, Karavidaj ishte emëruar si ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së çerdhes “Zambaku”.  Ajo është parë si shoqëruesja kryesore e Drejtoreshës së DKA-së, Luljeta Veselaj-Gutaj, në shumicën e aktiviteteve të DKA-së.

Në anën tjetër, ka informacione se në DKA tashmë janë dorëzuar Ankesa, disa sosh, të adresuara edhe Kryetarit, për parregullsi në proces. /GazetaePrizrenit.net