24-11-2024

Çfarë thotë Gjykata e Prizrenit rreth raportit që e paraqet si më të korruptuarën në vend?

Gjykata Themelore në Prizren (GJTH) mohon një raport të OJQ “Democracy Plus”që e paraqet atë si më të korruptuarën në vend, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Në mbledhjen e kolegjiumit të gjyqtarëve  që u mbajt dje, prej pikave që u shqyrtua ishte edhe raporti i “Democracy Plus” lidhur me cilësinë e shërbimeve të ofruara nga Gjykatat Themelore të Kosovës, sipas vlerësimit të avokatëve.

Në një kumtesë të Gjykatës Themelore në Prizren (GJTH), thuhet se në mbledhjen e mbajtur Kolegjiumi i gjyqtarëve ka konstatuar se perceptimi i kësaj organizate që e cilësoi Gjykatën e Prizrenit si të korruptuar nuk është reale, është marr mendimi i një numri të kufizuar të avokatëve, ndërsa intervista e marr nga publiku nuk e ka këtë perceptim.

Ditë më parë, USAID në bashkëpunim me OJQ-në “Demokracia Plus ” kanë prezantuar hulumtimin rreth transparencës dhe efikasitetit të gjykatave themelore të Kosovës, e cila përmban rezultatet e anketave rreth kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e gjykatave – sipas vlerësimit të avokatëve.

Hulumtimi kishte gjetur një numër të mangësive në cilësinë e shërbimeve të ofruara nga gjykatat. “Nga gjetjet e këtij raporti me 817 respondentë në shtatë gjykata themelore në Kosovë është kuptuar se Gjykata Themelore në Prizren është ranguar si më e korruptuara…”, thuhet në raportin e OJQ-së, “Demokracia Plus”.

Menjëherë, pas këtij publikimi, portali “GazetaePrizrenit.net” është interesuar ta marrë edhe opinionin e drejtuesve të GJTH-së në Prizren, por zëdhënësja e saj, Afërdita Kicaj, përmes postës elektronike ka rekomanduar anashkalimin e kësaj çështjeje duke thënë se është perceptim i pak avokatëve.

Më vonë ndërkaq, kjo temë u përcaktua të diskutohet në mbledhjen e Kolegjiumit të gjyqtarëve të GHTH-së.

“Gjykata e Prizrenit është vlerësuar si gjykatë më efikase dhe më transparente, andaj nuk ka mundësi të qëndrojnë paralel, efikase transparente – korruptuar, kjo ka qenë një intervistë individuale e marrë nga një numër i kufizuar i  avokatëve, prandaj edhe nuk është realja e këtij perceptimi nëse është cilësuar gjykata më efikasja dhe më transparentja  nuk mundet me qene e korruptuar. Në momentin kur lëndët kryhen me kohë nuk ka vend për korrupsion.

Përkundër kësaj kolegjiumi ka vendosur me qëllim të parandalimit të çfarëdo keqpërdorimi: të vendoset kutia e ankesave në korridorin e gjykatës dhe degëve të saj, t’u ndalohet avokatëve hyrja në gjykatë pa ftesë dha pa leje të gjykatësve me përjashtim në zyrën ku duhet të dorëzohen parashtresat, ndalimi i komunikimit EXPARTEsi dhe rritja e nivelit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për gjyqtar dhe stafin përgjegjës, po ashtu është vendosur që asnjë avokat sipas detyrës zyrtare nuk mund të caktohet nga gjykata pa konsultimin paraprak të Odës së Avokatëve të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Me tej njoftohet se në mbledhjen e kolegjiumit të gjyqtarëve është vlerësuar se gjykata me Odën  Rajonale të Avokatëve ka pasur edhe ka raporte shumë të mira, ndërsa një numër i kufizuar i avokatëve nuk mund të ndikoj në prishjen e raporteve të mira siç kanë qenë deri më tani, mirëpo është obligim edhe i avokatëve t’i lajmërojnë rastet e korrupsionit nëse kanë fakte.

“Përndryshe jemi të përcaktuar ta luftojmë korrupsionin dhe krimin çfarëdo qoftë ai. Jemi të hapur dhe mirëpresim të gjitha institucionet përfshirë edhe mediat”, përfundon kumtesa e GJTH-së./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.