03-11-2024

Cila është gjendja rreth furnizimit me barna në qendrën spitalore të Prizrenit?

Derisa drejtuesi e qendrës spitalore të Prizrenit deklarojnë se aktualisht mbulojnë

gjysmën e nevojave me barna, pacientët ankohen se ilaçet e përcaktuara nga mjeku, përfshirë edhe majet për injeksione dhe shiringat janë të detyruar t’i sigurojnë nga buxheti i tyre familjar, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

 

Drejtori i spitalit “Dr. Daut Mustafa” Dr. Afrim Avdaj tha se sa i përket përqindjes së furnizimit me barna, sipas të dhënave të barnatores së spitalit, furnizimi ka qenë 52.29 % dhe se në vazhdimësi ka përmirësim drejt një furnizimi sa më të mirë.

 

Qendra spitalore në Prizren për nga madhësia është e dyta në vend, pas kryeqendrës duke mbuluar çerekun e popullatës së vendit në aspektin shëndetësor. Furnizimin me barna dhe material shpenzues për të gjitha spitalet në nivel rajonal e bën Ministria e Shëndetësisë.

 

“Ne me kohë i bëjmë kërkesat dhe procedimin për furnizim me barna dhe material shpenzues, ndërsa janë procedurat tjera që pastaj zhvillohen në ministri”, ka thënë Avdaj për “gazetaeprizrenit.net”.

 

Infermier me kusht anonimiteti flasin se ditët e fundit kanë vërejtur një furnizim më të mirë me barna nga lista esenciale dhe materiali.

 

Në anën tjetër, përderisa pacientët e repartit intern shprehen të kënaqur me kujdesin nga stafi mjekësor, ata thonë se ilaçet i sigurojnë vet. Xhylsime Morina, thotë se çdo ditë mjekët i kanë shkruar “tiketat” me emrat e barnave,  të cilat ua ka përcjellë familjarëve, për t’ia blerë.

 

Pacientë të tjerë, të cilët nuk preferuan të identifikohen, e që janë të shtrirë në repartin e kirurgjisë, thanë se nga shpërndarja e terapisë ditore në repart marrin vetëm një “listë” në të cilat zakonisht infermierët ua përshkruajnë,  ndërsa pastaj ilaçet ua sjellin familjarët, të cilët edhe kujdesen për ta. Ata thanë se nuk dinë për koston e barnave, të cilat duhet t’i sigurojnë jashtë spitalit, pasi ato i blejnë familjarët e tyre, ndërsa nuk u tregojnë për shumat e harxhuara.

 

Zyrtarët e spitalit thanë se ndonëse mund të mungojnë shiringat, që kanë çmim më të lirë, ka barna të tjera që janë të shtrenjta si p.sh. stendat.

Kohët e fundit vlen të theksohet se qytetarët edhe po të vërejnë dhembje të lehta fillimisht u ikin vizitave tek mjeku, ngase sipas tyre harxhimet janë tepër të larta, meqenëse barnat kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë dhe pothuajse të gjitha u duhet t’i sigurojnë  nga buxheti edhe ashtu i varfëruar i tyre./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.