24-04-2024

Të rinjtë nga 15 shtete në Prizren, ndjekin një shfaqje që trajton martesat e hershme të vajzave

Rreth 180 të rinj nga 15 shtete janë mbledhur në kampusin e gjimnazit “Loyola” në periferi të Prizrenit, për të marrë pjesë në kampin veror që u realizua gjatë kësaj jave. Qëllimi i kampit është që të mësohet krijimi i një shfaqjeje teatrale dhe realizimi i saj, duke trajtuar temat me të cilat preokupohen të rinjtë.

 

“Duvaku” është shfaqje multidisiplinare, e krijuar gjatë kampit veror njëjavor në “Loyola – Gymnasium” dhe trajton temën e martesave të hershme të vajzave në Kosovë. Një grup i të rinjve të pasionuar për vallëzim sfidohet kur valltarja kryesore e tyre, Venera, fejohet pa dëshirën e saj, në moshën 15 vjeçare. Shfaqja tregon tendencat e grupit të vallëzimit për ta parandaluar martesën e Venerës, rrjedhimisht humbjen e valltares së pazëvendësueshme të grupit.

 

“Duvaku” është realizuar nga nxënësit e “Loyola – Gymnasium”, Shkolla fillore “Loyola”, “Loyola – Tranzit”, Diakonia Mitrovicë dhe “Jonas Foundation” në bashkëpunim me autoren e dramës dhe regjisoren  Fjolla Hoxha, e cila njëherësh është drejtoreshë artistike e kampit veror, me koreografi të Laureta Paçarizit dhe Benjamin Ibrahimit, trajneren e aktrimit, Shqipe Gashi, kostumografen Megan Fisk, udhëheqësit e orkestrës dhe të korit: Berat Tafallari dhe Rrustem Gashi.

 

Shfaqja është rezultat i punës dyvjeçare të “Loyola-Tranzit”, një projekt që ka për qëllim ndërtimin e urave dhe bashkëpunimin e ngushtë mes të rinjve ashkalinj të lagjes Tranzit dhe të rinjve të gjimnazit “Loyola”. Kjo iniciativë ka mundësuar themelimin e një kopshti joformal për fëmijë, një shkolle të muzikës, shkollën e zanateve, bashkëpunimin e vazhdueshëm me të rinjtë evropianë dhe integrimin e të rinjve nga Tranziti në shkollat publike në Kosovë.

Premiera shfaqet të shtunën, më 14.07.2018, në Kino “Lumbardhi” në Prizren, në orën 20.30./E.S

Asnjë koment

Comments are closed.