10-12-2024

Cilat profesione po kërkohen në panairin “Abi çarshia”?

Kamarier,  sektorist, kuzhinier, pastaj personel për elektrikë, mekanik apo ndonjë pozitë menaxheriale. Këto kanë qenë kërkesat më të shpeshta për punë, në panairin më të madh të punësimit “Abi çarshia”, që është hapur një ditë më parë, në kuadër të kompanisë “Abi” në Prizren.

Në ditën e parë ka pasur një interesim të shtuar, kryesisht të të rinjve, të cilët  para shtandeve të kompanive të interesuara kanë marrë ofertat,  në tendën e ngritur enkas në oborrin e qendrës tregtar “Abi store”.

Agron Berisha, tregoi se prej dy vjetësh kërkon punë, pasi ka kryer studimet në menaxhment, ka ardhur të shoh nga ofertat, të cilat do t’i shqyrtoi, pasi në shtator planifikon t’i nisë studimet për nivelin master.

Ky projekt ofron mundësi të takimit të të interesuarve nga afër me punëdhënësit, për të diskutuar kushtet si dhe pozitat e hapura për punë. Ai pritet të sjell më rreth 1.200 vende të reja pune,  ndërsa 100 pozita menaxheriale, tek brendet më të njohura botërore dhe regjionale.

Berina Sharri, zv. menaxhere në kompaninë e “Abi”, tha se gjatë ditës së parë ka pasur një Interesim të madh,  shumë aplikime, ndërsa qëllimi ka qenë që çdo brend të ketë kontakt të drejtpërdrejt me punëkërkuesit.

Në Qendrën rajonale për Punësim në Prizren, si të papunë zyrtarisht janë të paraqitur 2o. 829 persona. Prej tyre 8.840 janë aktiv, që lajmërohen për çdo muaj, ndërsa pjesa tjetër konsiderohet pasiv. Por, dihet se numri i të papunëve është edhe më i madh pasi disa persona, fare nuk lajmërohen në këto zyra, pasi nuk shpresojnë, që përmes kësaj forme të sigurojnë ndonjë vend pune.

Pjesën me të madhe të punëkërkuesve e përbëjnë të rinjtë, gjegjësisht grup mosha nga 25 deri në 39 vjeç, apo rreth 40 për qind e numrit të regjistruar. Në mesin e punëkërkuesve ka persona edhe me kualifikim superior.

Prizrenasit i konsiderojnë vitet e fundit, si gjithnjë e më të vështira për të gjetur një vend pune, duke thënë se kjo po i detyron familjet e tyre të përballen me mungesën e kushteve elementare.

Burim Sallauka, nga kompania “Koha”, pjesë e panairit, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” se ka ofruar punë për kuzhinier, zëvendës kuzhinier, banakier, kamerier e pastrues. “Ka pasur të interesuar, por do të shohim gjatë përzgjedhjes”, ka thënë ai.

Panairi do të jetë i hapur edhe sot.

 

Asnjë koment

Comments are closed.