PDK në Prizren dhe Kryetari i saj Shaqir Totaj, njëherësh Kryetar i Komunës së Prizrenit, po tentojnë t’i mbajnë në heshtje pakënaqësitë dhe reagimet e forta, të shfaqura nga parregullësitë, anulimi i Konkursit për drejtorë dhe shpalljes së kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni për intervistim.
Vetëkënaqësia e Totajt dhe e disa drejtorëve të tij rreth punëve në përfundim të projektit për vënien e asfaltit sipërfaqësor në rrugën qendrore, ku doli për ta monitoruar edhe kreu i partisë, Memli Krasniqi, doli të jetë bumerang në takimin e mëvonshëm me strukturën e partisë, mbajtur në Parkun e Qytetit.
Referuar burimeve, aty janë shfaqur haptas kritika nga njerëz meritor, ndaj të cilëve siç është thënë po tentohet anashkalim dhe mungesë vëmendjeje, e deri te ndërprerja e komunikimit nga kreu lokal i partisë. Pakënaqësi më të medha ka pasur nga një përfaqësues rajonal i nëndegëve, duke i përcjellë ato të kuvendarëve të këtij subjekti në Asamblenë Komunale.
Reagime të forta ka pasur edhe rreth Konkursit për drejtorë, ku siç njoftohet janë paraqitur “parregullsitë dhe paaftësia për organizimin e tij” nga drejtuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit, që ndonëse është pritur për 6 muaj pas marrjes së detyrës së Totajt, ka çuar në anulimin e tij për mëse 25 shkolla.
Pos Memli Krasniqit në takim kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, si Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Vlora Çitaku e të tjerë, të cilët kanë dëgjuar jo vetëm për gjysmëvitin e parë të qeverisjes së partisë së tyre në Prizren, por edhe për gjendjen në të cilën ndodhet dega, ku pos hatërmbetjeve të shumta, ka irritime e deri te kërcënimet për mosbindje të disa përfaqësuesve të këtij subjekti në Kuvendin Komunal.
Në anën tjetër, siç është njoftuar, për shkak të parregullsive të Konkursit, e deri te dyshimet për heqje të qëllimshme të ndonjë dokumenti nga dosja e dorëzuar, njëri nga kandidatët profesori Qazim Morina, tashmë ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë e Prizrenit- Departamenti për Krime të Rënda. /Gazeta e Prizrenit.net
Lexo edhe:
Çfarë solli Konkursi i parë për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Prizren?