Çuni: Vetëvendosja t’i falënderohet Zafir Berishës

Çuni: Vetëvendosja t’i falënderohet Zafir Berishës

Anëtari i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shukri Çuni  ka thënë se Vetëvendosja duhet t’i falënderohet shumë kryetarit të Nismës, Zafir Berishës,  pasi sipas tij, për shkak të disa inateve me PDK-në, gjatë zgjedhjeve të fundit komunale, Berisha ndihmoi kandidatin për kryetar komune nga VV, Mytaher Haskuka, transmeton gazetaeprizrenit.net.

“Ju duhet falënderuar shumë Zafirit, që ia mundësoi VV-së të ulet në këto pozita të pushtetit, me vetëm 7 asamblistë në Kuvend, ndryshe kjo nuk do të ndodhte “ u tha ai kolegëve të tij të nga VV të ulur në krahun e majtë, në sallën e KK-së.

Çuni ka thënë kështu, derisa po zhvillohej debati rreth përzgjedhjes se drejtorëve të shkollave dhe anulimit më pas të konkursit nga Haskuka.

Duke iu drejtuar drejtorit të Arsimit, Skënder Susurit, ai tha se po të ishte në këtë pozitë, kurrë nuk do kishte mundësi të anulohej  konkursi, andaj edhe e pyeti drejtorin për “pozitën e tij” pas zhvillimeve të fundit.

Çuni me këtë rast foli edhe rreth departizimit politik në shkolla, ndërsa për këtë fajësoi LDK-në,  që kur kishte ardhur në pushtet, pas luftës i pari që ka pësuar ishte ai, për shkak se është hequr nga drejtori.  “Partitë nuk po shikojnë profesionalizimin, por po marrin drejtorë njerëzit  e dëgjueshëm”, ka thënë ai.

Ndryshe, pas zgjedhjeve lokale, Vetëvendosja në Prizren radhitet si subjekti i dytë politik, pasi ka gati përgjysmë më pak kuvendarë, gjithsej 7 në KK, për dallim nga PDK që ka 13 sosh.

VV ndërkaq prinë para LDK-së që është forca e tretë politike për vetëm një asamblist, ndërsa ka 3 më shumë se sa Nisma dhe AAK që kanë nga 4.

Siç dihet VV udhëheq me qeverisjen lokale, pasi kandidati i saj Haskuka, në garën e balotazhit me përkrahjen edhe të subjekteve tjera si LDK, Nisma dhe disa  parti minoritare, fitoi ndaj Shaqir Totajt të PDK-së,  me një diferencë prej më pak se 300 votash./gazetaeprizrenit.net/