Shprehet shqetësim rreth shenjëzimit nw Qendrën Historike të Prizrenit

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” sot ka organizuar performancën publike “Shenjëzimi dhe reklamimi kaotik në Qendrën Historike të Prizrenit”, pwrmes tw cilit ka shprehur shqetësimin lidhur me shenjëzimin për trashëgiminë kulturore të patrajtuar nga shteti dhe reklamimin e pakontrolluar, që si rezultat kanë sjellë një degradim vizuel të Qendrës Historike të Prizrenit.

Kësaj performance publike i ka paraprirë një hulumtim, të cilin EC Ma Ndryshe e ka bërë për problematikën në fjalë. Nga ky hulumtim janë identifikuar mbi 200 ndërtesa që kanë tabela dhe reklama që janë në kundërshtim me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Vendimin mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit. Ndërkohë përfitimi i Komunës nga taksat për reklama përgjatë kësaj periudhe ka qenë 0 euro. Vendosja e reklamave të partive politike, bizneseve e organizatave kryesisht është bërë pa pëlqim të organeve të trashëgimisë kulturore.

Ky hulumtim është marrë specifikisht me identifikimin e fenomenit të degradimit vizuel dhe adresimin e përgjegjësive fillimisht institucionale të Qendrës Historike të Prizrenit dhe nuk pretendon të denigrojë apo dëmtojë bizneset e veçanta që janë paraqitur përmes reklamave të tyre.

Si mangësi që adresohet përmes kësaj performance është mungesa e standardizimit nga shteti për sinjalistikë rrugore, shenjëzim e tabela interpretuese për lokalitete të trashëgimisë. Sinjalistika rrugore, shenjëzimi i lokaliteteve të trashëgimisë dhe tabelat interpretuese të këtyre lokaliteteve janë pjesë përbërëse, në mos esenciale të promovimit të një lokaliteti të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Kosova në përgjithësi në krahasim me shtetet e rajonit është shumë prapa sa i përket rregullimit të kësaj fushe, andaj kjo është edhe një thirrje tjetër që i bëhet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit  dhe Ministrisë së Infrastrukturës të përfundojnë sa më parë përcaktimin e legjislacionit për standardizimin e sinjalistikës rrugore për lokalitetet e trashëgimisë kulturore dhe udhëzuesin për komunat e Kosovës ku do të përcaktohej formati teknik i shenjave për sinjalistikë rrugore dhe atë këmbësorike.

Komuna e Prizrenit udhëzohet që ta bëjë përditësimin dhe përmirësimin e vendimit mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit duke i shtuar disa nene përkatëse dhe duke qartësuar disa të tjera. Ky vendim duhet të përcillet edhe me një udhëzues grafik për shenja dhe reklama në Qendrën Historike të Prizrenit në mënyrë që të lehtësohej sidomos puna për biznese.

EC është në dijeni mbi hapat e fundit të ndërmarrë nga komuna e Prizrenit lidhur me lirimin e hapësirave të uzurpuara publike dhe largimin e disa reklamave pa leje andaj edhe e përgëzon Komunën për këto veprime. Në të njëjtën kohë EC njofton që edhe vendosja e reklamës nga ana jonë në urën e Arastës është realizuar në shenjë proteste pa leje dhe fton autoritetet lokale ta bëjnë largimin e saj duke vazhduar tutje me të gjitha shenjëzimet dhe reklamimet brenda Qendrës historike të Prizrenit që bien në kundërshtim me ligjin për këtë zonë.