Dalin pagesat për mësimdhënësit e viteve të 90-ta
Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, gjatë së martës do të marrin kompensimin ligjor.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave, ka konfirmuar për Ekonomia Online se ekzekutimi i pagesave për mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të bëhet bashkë edhe me pensionet e tjera.
Ai ka sqaruar se ata do të paguhen në mënyrë retroaktive nga prilli.
“Ekzekutimi i pagesës për pagesat e arsimtarëve të viteve të ’90 do të bëhet sot, së bashku me pensionet tjera. Sot do të ekzekutohen nga ana e thesarit dhe ato do të ekzekutohen sipas raporteve apo listave të cilat janë sjellë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne do t’i ekzekutojmë jo vetëm për muajin dhjetor mirëpo do të ekzekutohen në mënyrë retroaktive ashtu siç e parasheh ligji edhe që nga muaji prill”.
Sipas tij, këto pagesa nuk lidhet vetëm me ligjin e Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për arsye se janë rregulla të veçanta.
“Sa i përket shumë që do të marrin është e përcaktuar në ligjin i cili ka kaluar dhe i cili ka kaluar dhe që e parasheh dhënien e kësaj pagese, për arsimtarët e viteve të ’90-ta dhe varësisht prej përqindjes së viteve që kanë kaluar, varësisht prej përqindjes që parashihet me ligj ashtu edhe do të paguhen”.
“Për çdo kategori është e specifikuar veç e veç dhe nuk lidhet vetëm me ligjin e Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për arsye se janë rregulla të veçanta të cilat parashihen në ligjin e tyre i cili ka kaluar dhe në bazë të të cilit ata do t’i marrin qysh nga dita e sotme”.
Rafuna ka sqaruar se shuma e mjeteve të buxhetuar është e mjaftueshme, duke përfshirë edhe pjesën retroaktive që nga muaji prill.
“Numrin e saktë të këtyre punëtorëve dhe mënyrën e organizimit të cilët i plotësojnë kushtet është e rregulluar me akt nënligjorë dhe gjendet në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ata kohë pas kohe na i dërgojnë bile sot jemi edhe duke e pritur numrin numrin fila që ta kemi në mënyrë që ta ekzekutojmë mirëpo sa i përket shumës që është në kompetencë të Ministrisë së Financave shuma është e buxhetuar dhe është më se e mjaftueshme që të ekzekutohen pensionet duke përfshi edhe pjesën retroaktive që nga muaji prill”.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Bahri Xhaferi, kishe konfirmuar se janë për të gjitha përgatitjet dhe çdo gjë është gati për kompensim.
Vlera për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, nis nga 19 deri në 70 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar. Shuma mësimdhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit.
Kostoja e zbatimit të ligjit për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.
Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë.