01-04-2020

Dallaveret me listat e veteranëve, ngritët aktakuzë ndaj bashkëshortes së ‘Sandokanit

Njëra nga të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘ushtrim i ndikimit’ në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, siç mëson Indeksonline është Sanije Rexha, bashkëshortja e ish komandantit të UÇK-së Abedin Rexha i njohursi Sandokani.

Prokuroria Speciale njofton se e pandehura, S.R. në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i akuzuari K.B. person zyrtar në të njëjtin departament të ministrisë së njëjtë, gjatë muajit tetor të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.

Dy të akuzuarit, i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, pa autorizim kanë marrë nga DIFDL 31 formularë për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës ku kanë plotësuar 31 formular për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

“Të dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në DIFDL të MPMS, të cilët deri më 30.11.2019, përfituan nga statusi i veteranit të luftës në shumë prej 133 mijë e 280.00 euro në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuarit S.R. dhe K.B. në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, siç thotë Prokuroria, të akuzuarit S.R. dhe K.B në cilësi të personave zyrtar më 16.01.2019, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B. për pranimin e katër formularëve në DIFDL të MPMS, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë S.P. shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’uu siguroj pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Të akuzuarit S.R. dhe K.B. në bashkëveprim, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së

Asnjë koment

Comments are closed.