Dallaveret me subvencionet e bujqve, 9 zyrtarë në paraburgim, 2 në arrest shtëpiak
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.SH., L.S., H.M., B.N. K.Z., A.U., D.A., P.K., SH.K., dhe K.B– S. për veprat penale Marrja e ryshfetit nga neni 421, paragrafi 1, Dhënia e ryshfetit nga neni 422, paragrafi 1 dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të pandehurit S.S. i dyshuar për shkak të veprës penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurve S.SH., L.S., S.S., H.M., B.N. K.Z., A.U., D.A., P.K., gjykata iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, ndërsa kundër të pandehurve SH.K., dhe K.B–S. është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se këto masa të sigurisë janë masa adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse ekziston rreziku se po të gjendeshin në liri, të njëjtit mund të ikin apo arratisen për ti ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës, poashtu të pandehurit nëse do të jenë në liri mund ti asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek dëshmitarët aktual dhe ata të mundshëm të prokurorisë, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit do të gjenden në liri mund të përsërisin veprën penale si dhe të njëjtit do të ndikonin në hetimin i cili është duke vazhduar.
Të pandehurit në këtë çështje penale dyshohen nga Prokuroria se në kohë dhe vende të ndryshme varësisht nga interesi dhe marrëveshja kanë pranuar dhe kanë dhënë ryshfet nga persona të ndryshëm, pastaj i kanë ndarë në mes vete. Po ashtu në mënyrë direkte apo të tërthortë kanë kërkuar dhe pranuar përfitim – para për vete në mënyrë që të veprojnë apo të mos veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare, konkretisht të pandehurit kanë kërkuar ryshfet nga persona të ndryshëm kryesisht fermer, me qëllim që ti fusin në listat e përfituesve të subvencioneve, ku dyshohet se disa prej fermerëve janë futur në lista duke dhënë ryshfet-para, me ç’rast kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare apo autoritetit zyrtar.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.