01-05-2024

Debate të nxehta të kuvendarëve të opozitës me kryetarin Haskuka

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,  në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, derisa është munduar ta arsyetojë shkarkimin selektiv të drejtorëve dhe me anë të zarfeve, në disa raste ka shfaqur tone nervoze dhe reagime për largimin e shpejtë të mikrofonit,  veprime për të cilat opozitarët ia kanë kujtuar profesionin e tij prej psikologu.

“Këtu po thuhen shumë të pavërteta dhe në disa rast po ngritën çështje personale. Disave drejtorëve ua kam vazhdu kontratat disa të tjerëve jo. E kam shfrytëzuar të drejtën time”, tha ai por nuk sqaroi se përse ka vepruar kështu.

Haskuka foli pastaj për mënyrën e shpalljes së konkurseve për drejtor dhe mësimdhënës dhe anulimin e tyre dhe se kjo kishte ndodhur aty ku kishte dallime mes pikëzimit të kandidatëve nga komisioni, ku bënte pjesë edhe shoqëria civile.

Ndonëse kryetari u kërkoi anëtarëve të Kuvendit të jenë më të shkurtër dhe konkret, gjatë fjalimit të tij Haskuka më tepër ka folur për gjëra sekondare, duke dashur ta mbajë fjalën, ndërsa opozita i kërkonte të deklarohej për faktet.

Pas fjalimit, ndërkaq kanë reaguar shefat e grupeve opozitare  Simir Krasniqi (PDK), Haziz Hodaj (LDK), Pranverim Berisha- Nisma dhe Ilir Baldedaj-AAK, të cilët thanë se sikur të ishte ashtu siç po fliste Haskuka, atëherë nuk do të ishin mbledhur sot.

Berisha nga Nisma, ndërkaq e quajti Haskukën mjeshtër i mashtrimit dhe manipulimit me masën, ndërsa  veprimin e tij për gjuajtur mikrofonin e vlerësoi si sjellje nervoze, pasi po përballet me faktet.

Për nervozën dhe veprimin e Haskukës ka  reaguar edhe këshilltari Shukri Quni, i cili kujtoi se pavarësisht reagimit të kuvendarëve, kjo nuk i ka hije një kryetari komune, aq më tepër kur ai është me profesion psikolog dhe profesor universitar. / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.