24-09-2021

Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për ushtrim ndikimi lidhur me një rast në Prokurorinë e Prizrenit, për të akuzuarin e tretë veçohet procedura

Bajram Gashi dhe Dardan Hoxhaj, të cilët po akuzohen për ushtrim të ndikimit, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohet edhe Rizan Hoxhaj, por ndaj tij është veçuar procedura pasi i njëjti ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj po akuzohen nga Prokuroria Speciale se kishin kërkuar shumën prej 6,000 euro në mënyrë që të ndikojnë në vendimmarrjen e bashkëshortes së të akuzuarit Gashi, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore në rastin që ishte duke u zhvilluar kundër të akuzuarit Dardan Hoxhaj, të cilat para edhe ua kishte dhënë i akuzuari Dardan Hoxhaj në mënyrë që ai të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që ishte duke u hetuar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Dren Paca, dy të akuzuarit Bajram Gashi dhe Dardan Hoxhaj nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë.

“Ndihem plotësisht i pafajshëm sepse un i ndihmova drejtësisë dhe bashkëpunova me organet e ndjekjes, që të zbulohet ky rast kriminal në këtë mënyrë prokuroja Gashi përmes sekserëve të saj më kanë bërë presion dhe më kanë implikuar në aferat e tyre korruptive”, tha i akuzuari Dardan Hoxhaj.

Ndërsa, për të akuzuarin Rizan Hoxhaj, prokurori Paca ka njoftuar gjykatën se më 26 prill 2021 ka nënshkruar marrëveshje për pranim të fajësisë.

“Dua të ju njoftoj se për të akuzuarin Rizan Hoxhaj prokuroria me kërkesën e mbrojtjes dhe të të pandehurit Rizan Hoxhaj pas negocimit kemi arritur që më 26 prill 2021 të nënshkruajmë marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë të cilën më 27 prill 2021 ia kemi përcjell gjykatës ku edhe është rekomanduar dënimi sa i përket të pandehurit”, tha prokurori Paca.

Meqenëse dy të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit, Vesel Ismajli i ka njoftuar palët se brenda afatit ligjor mund të paraqesin kërkesë për hudhje te aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sa i përket të akuzuarit Rizvan Hoxhaj, gjykatësi Ismajli tha se gjykata do ta veçoj procedurën penale ndaj të njëjtit me ç’rast ka caktuar seancën e shqyrtimit kryesor më 7 maj 2021, në ora 09:30 për të shqyrtuar marrëveshjen e arritur mes prokurorisë dhe të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 prill 2021, Bajram Gashi, Rizan Hoxhaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën Ejup Statovci në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6000 euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante parat e kërkuara, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale qe ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ja dorëzon shumën prej 1000 euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ja dorëzon edhe shumën prej 5000 euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë parat në shumë prej 6000 euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.