25-11-2024

Dëme të shumta nga stuhia e breshëri nëpër Kosovë

Gjatë ditës së sotme është raportuar për stuhi në disa komuna. Peja, Podujeva, Skenderaj e Vushtrria ishin zonat ku ka pasur reshje më të mëdha shiu, por edhe breshër.

Erëra të fuqishme dhe reshje shiu kanë përfshirë disa qytete në Kosovës. Ky destabilizim i motit vjen pas disa ditëve, ku vendi ishte përfshirë nga temperatura të larta.

Në Pejë, Podujevë, Skenderaj dhe Vushtrri, por edhe në qytete tjera, raportohet se ka pasur stuhi me erëra të forta dhe shi të rrëmbyeshëm.

Stuhia që ka goditur qytetin e Skenderajt, shkaktoi dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe dëme në vetura. Fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me policinë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Nga kjo komunë kanë thënë se shumë shpejt do të ndërmarrin të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara.

Në Prishtinë pati erëra të fuqishme, ku për pasojë çatia e një objekti banesor në lagjen “Pejton” ka rënë mbi veturat e parkuara. Nuk është raportuar për të lënduar.

Policia dhe ekipet emergjente janë parë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës më herët ka njoftuar se situata hidrometeorologjike në vend ende nuk është stabile, pasi pritet të ketë reshje shiu, vende-vende, me intensitet më të lartë.

Asnjë koment

Comments are closed.