Dëmtohet xhamia e “Namazxhahut”, më e vjetëra në Prizren, KBI reagon
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, shpreh shqetësimin e thellë për dëmtimin e xhamisë së “Namazxhahut”, në Prizren, që konsiderohet prej xhamive të para, të ndërtuara në Prizren. Pas vërtetimit në vend, ekziston dyshimi i bazuar, se persona të pandërgjegjshëm, qëllimisht i kanë dëmtuar dy shtyllat e kurorës së hytbes në objektin e Namazxhahut, duke synuar rrëzimin e saj.
Me këtë rast, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, kërkon nga Policia e Kosovës, që të ndërmarrë veprimet e duhura, për gjetjen dhe marrjen në përgjegjësi të personave, që e kanë shkaktuar këtë dëm të madh, ndaj xhamisë së Namazxhahut, si një objekt i rëndësisë së veçantë për trashëgiminë kulturore e historike të Kosovës.
Po ashtu, kërkojmë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (QRTK), si dhe nga organet e tjera kompetente, lokale apo qendrore, që të ndërmarrin veprimet adekuata për sanimin e gjendjes dhe trajtimin e xhamisë së Namazxhahut, në mënyrë meritore.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, konsideron se objekti i Namazxhahut, sidomos viteve të fundit, është lënë pas dore dhe pa përkujdesjen e duhur. Ambienti brenda tij është i papastër me përplot mbeturina, ndriçimi nuk funksionon, ulëset janë shkatërruar, hapësirat e gjelbërta nuk mirëmbahen fare, etj.
Shpresojmë se, organet kompetente, në të ardhmen, do të kujdesen mjaftueshëm për gjendjen e Namazxhahut, thuhet në reagimin e KBI-së në Prizren./tvprizreni.info/