Dënim me gjobë për të akuzuarin që pranoi fajësinë për vjedhje rryme

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të hënën, e ka dënuar me 400 euro, gjobë të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve, L. Begaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Njazi Morina, i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale, të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe 30 euro në emër të kompenzimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky aktgjykim është shpallur pasi që paraprakisht në seancën e së mërkurës i akuzuari Begaj, e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

Në këtë rast, Begaj ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, ngase këtë vepër e ka kryer nga kushtet e vështira ekonomike.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Sadri Alija dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes, Njazi Morina.

Begaj, fillimisht akuzohej për “vjedhje të shërbimeve komunale”, por në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 4 dhjetor 20, ishte rikualifikuar kjo vepër penale me Kodin e ri Penal, ku tash ngarkohet për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragraf 6, lidhur me paragrafin 1, të KPK-së.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 20 nëntor 2018, Begaj  akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 19 korrik 2018, në shtëpinë e tij, në fshatin Banjë, Komuna e Malishevës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për energji elektrike të Republikës së Kosovës, ka shfrytëzuar energjinë elektrike, duke u lidhur direkt në rrjetin elektrik me dy fazë, jashtë njehsorit, dhe me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS–Divizioni në Gjakovë i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 348.88 euro./BetimipërDrejtësi