Dënim me kusht policit që s’e kapi hajnin në Suharekë
Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues me kusht ndaj të akuzuarit me iniciale H.M. nga fshati Reshtan Komuna e Suharekës, për shkak se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarin nga fshati Reshtan, Komuna e Suharekës, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 5 (pesë) muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin e verifikimit prej 1(një) viti nëse i pandehuri nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk kryen vepër tjetër penale.
Referuar arsyetimit të gjykatës, i akuzuari është konstatuar se “me datën 07.05.2016, rreth orës 00:10 minuta në Suharekë, në cilësinë e rreshterit në Stacionin Policor në Suharekë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk përmbush detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për M.P. me ç’rast i shkakton dëm N.B. në shumën prej 156 euro”.
Tutje thuhet se dëmi është shkaktuar “në atë mënyrë që i dëmtuari me iniciale N.B., pasi raporton se i është vjedhur një paletë me 39 thasë çimento, gjatë një pike të kontrollit të policisë është ndaluar M.P. i cili ka qenë duke drejtuar kombin me ngjyrë të kuqe dhe me 39 thasë çimento të ngarkuar që kanë qenë të vjedhur në oborrin e shtëpisë të dëmtuarit N.B., ashtu që përkundër këtyre fakteve rreshteri i policisë me iniciale H.M. duke shfrytëzuar autoritetin e tij nuk lejon që të ndalohet M.P. dhe të sekuestrohet përkohësisht çimento e vjedhur e cila do të shërbejë si provë materiale gjatë hetimeve dhe kombin si mjet me të cilin është kryer vepra penale”.