22-11-2024

Dënimin prej 6 muajsh me kusht të Baldedajd, avokati e quan skandaloz dhe paralajmëron ankesë

Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 6 muaj burgim me kusht ish- drejtorin për Administratë në Prizren, Ilir Baldedajn, derisa avokati i tij, e ka vlerësuar  vendimin si skandaloz, duke paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka shpallur fajtor Baldedajn, për shkak se të veprës penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke i ia shqiptuar dënimin me burgim me kusht, në kohëzgjatje prej 6  muaj, i cili nuk do të ekzekutohet në afatin prej 1 viti pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale.

Në aktgjykim,  ndër të tjera thuhet se në periudhë kohore – gusht 2015 deri në dhjetor  2016, i akuzuari në cilësinë e Drejtorit të Administratës Publike,  të Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të tjerët, TV Opinion, TV Besa dhe  TV Prizreni, në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit lidh dhe nënshkruan kontratat për emetimin e spoteve reklamuese në lidhje me aplikimet online për nevojat e Komunës së Prizrenit, gjegjësisht të administratës publike

“Kështu që me TV Opinion lidhë kontratën për transmetim në vlerë prej 300 euro në muaj, me TV Besa kontratë në vlerë prej 250 euro në muaj dhe me TV Prizreni kontratën në shumën prej 500 euro në muaj, ndërsa pas ekspertizës së kryer financiare ka rezultuar se në bazë të kartelave të furnitorëve të tre Televizioneve të lartë përmendura për shërbimet e spoteve reklamuese lidhur me aplikimet online janë tejkaluar shumat të parashikuara me kontratat e nënshkruara e cila arrin shumën prej 17.100 euro”, thuhet në aktgjykim.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miftar Qelaj, vendimin e gjykatës e ka vlerësuar  si skandaloz, pasi siç ka thënë  të gjitha pagesat kanë kaluar në procedura të rregullta në zyrën e thesarit.

“Asgjë nuk është përfundimtare, pasi ne do të ankohemi në Gjykatën e Apelit,  sepse vendimi është i pa drejtë kur të gjitha drejtoritë kanë vepruar njësoj edhe të tjerët nuk janë akuzuar fare”, ka thënë ai.

Qelaj ka thënë se klienti i tij në asnjë fazë të procedurës nuk e ka mohuar se i ka nënshkruar kontratat në fjalë, por se të njëjtat nuk i ka përpiluar vet dhe se vetëm ka vazhduar praktikën e gjetur nga paraardhësi i tij sa i përket formave të reklamimit të shërbimeve komunale.

Ai tutje ka thënë se i akuzuari këto kontrata i ka pranuar për të nënshkruar nga zyra profesionale që gjendet në kuadër të zyrës së prokurimit të komunës dhe se nuk ka pasur njohuri se ato kontrata nuk janë në përputhje me ligjin, pasi që pagesat janë bërë në shuma prej 200 deri në 500 euro në muaj e jo si tërësi.

Nga praktika e deritashme, në disa raste aktgjykimet e shpallura nga Gjykata Themelore e Prizrenit, të shqiptuara në burgim me kushte në kohëzgjatje  prej 6 muaj deri në 1 vit ndaj disa drejtorëve, pas ankesave të bëra i ka kthyer në rigjykim, Gjykata e Apelit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.