10-11-2024

Prizren: A ka pasur hile në shëtitjen e nxënësve në Durrës?

Prizren: A ka pasur hile në shëtitjen e nxënësve në Durrës?

Shefi i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin e Komunës, Ilir Baldedaj, ka kritikuar se nxënësit e shkollave të mesme, siç ka thënë “detyruar” të paguajnë nga 16 euro për shëtitjen në relacionin njëditor Prizren – Durrës-Tiranë-Prizren.

“Në pakon prej 16 eurove nxënësve iu tha se do ta kenë edhe drekën. Përpara se të ndodh “shëtitja” edhe mund ta gjykoje se një shëtitje e mirëfilltë e tillë me një drekë pse jo me karkaleca deti e me ndonjë kafe në Tiranë edhe mund të kushton kaq, por që rrëfimi të jetë “trishtues” për nxënësit njëherë nga agjenda mënjanohet Tirana. Vizitohet Durrësi dhe nxënësit nuk hëngrën drekë karkaleca deti, por file pule me oriz ose makarona dhe sallatë”, ka shkruar ai në “facebook”,

Baldedaj, partia e të cilit është në opozitë ka thënë po ashtu se po e vendosëm këtë relacion bashkë me drekën në një përllogaritje të thjeshtë matematikore, del se “qeveria lokale përmes sekserëve po e vjedh nxënësin”. “Të gjithë kemi njohuri se sa kushton rruga vajtje ardhje Prizren – Durrës dhe e dimë sa kushton në drekë me file pule… Prandaj ka dyshime të bazuara se sekserët e qeverisjes lokale po e vjedhin nxënësin. Të mjerë janë ata që vjedhin një euro ose dy nga nxënësi. Këto ankesa në mbrojtje të nxënësve duhet t’i bëjnë mësimdhënësit që i shoqëruan nxënësit, por ata sigurisht kanë frikën e hakmarrjes dhe heshtin”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, drejtori për Arsim në Prizren, Skënder Susuri, ka sqaruar për “Gazeta e Prizrenit.net” se aktivitetet jashtëshkollore, që përcaktohen me udhëzim administrativ të MASHT nr. 2/2016, janë autoritet komplet i shkollës përkatëse, respektivisht drejtorit dhe Këshillit drejtues.

“Ne si DKA kemi kërkuar që të respektohet plotësisht baza ligjore për organizimin e shëtitjeve dhe ekskursioneve. Ne çdo rast kur ka elemente abuzive te dokumentuara sigurisht që DKA është autoriteti për të mos lejuar të tilla gjera”, ka thënë ai.

Në rastin konkret të deklarimit të Baldedaj, Susuri vlerëson se ka me shumë një deklaratë publike-politike, të paprovuar, nuk ofrohen prova dhe emri i shkollës ku pretendohet abuzimi. Nuk ka asnjë denoncim apo vërejtje nga prindërit apo nxënësit pjesëmarrës në këtë shëtitje.

“Për të gjitha shkeljet eventuale tash dhe në të ardhmen përgjegjësia është individuale, nuk ka asnjë rast kur DKA do të heshtë, kur ka prova për raste abuzive. Të gjitha shkollat fillimisht e njoftojnë DKA për datën, itinerarin, kompaninë transportuese dhe çmimin. Ne shëtitje obligativisht merr pjese edhe përfaqësuesi i prindërve”, ka thënë ai. /Gazetae Prizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.