26-04-2024

Dënohet me 16 vite burgim e akuzuara për vrasjen e vitit 2018 në fshatin Lladroc të Malishevës

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 16 vite burgim Nafije Rrafshin, e akuzuar për vrasjen e tanimë të ndjerit Sefer Berisha në vitin 2018 në Malishevë.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën nga gjykatësi Shaqir Zika, e akuzuara Rrafshi u dënua me 15 vite e 6 muaj burgim për veprën penale të vrasjes, kurse me 1 vit burgim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ndaj saj u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vite burgim.

Të njëjtës iu shqiptua edhe dënimi plotësues, konfiskimi i armës, si dhe iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse ndaj të akuzuarës Behare Nura, gjykata sipas detyrës zyrtare ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga ajo e vrasjes në moslajmërim të veprës penale. Për këtë të fundit ajo u dënua me 2 vite burgim, kurse u lirua nga akuza për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Të njëjtës iu ndërpre edhe masa e paraburgimit.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë në këtë rast, Granit Alushani u dënua me 1 vit burgim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

E akuzuara Rrafshi u ngarkua edhe me shpenzimet e procedurës penale në vlerë 400 euro, kurse Nura dhe Alushani me nga 100 euro.

Të njëjtit janë të obliguar edhe me pagesën e shumës prej 50 euro secili, për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjykatësi Zika bëri të ditur se të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet, pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Behare Nura po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladroc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ishte ndalur në një breg në afërsi të pyllit, nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolen e tipit TT kalibër 7.62mm ka shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, ato po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.

Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.