25-04-2024

Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari për sulm në Dragash

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të mërkurën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të pandehurin për sulm, Ramadan Mustafa.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur gjyqtarja e çështjes Sabaheta Kurteshi, pasi që i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kurteshi e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale, 30 euro në emër të kompensimit për viktimat  e krimit dhe 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shehadin Destani, i pandehuri ka deklaruar se ndihet fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet dhe ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit, të ketë parasysh rrethanat lehtësuese.

“E pranoj që e kam shtyrë Xhemailin, e kam bërë me qellim që ta largoj nga vetja pasi që kemi nisur të grindemi, edhe ky me ka goditur me boks, mirëpo unë se kam lajmëruar policinë. Me vjen keq për këtë që ka ndodhur, ne kemi marrëdhënie të mira, jemi miq dhe jemi pajtuar, mirëpo kjo ka ndodhur papritur, pa planifikuar”,  ka thënë i pandehuri Mustafa.

Pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Destani, me arsyetimin se është bërë me vullnet dhe pa shtyrje.

Paraprakisht, deklaratën e tij lidhur me rastin e ka dhënë edhe i dëmtuari Xhemail Bajrami.

I dëmtuari  Bajrami ka thënë se qëndron prapa deklaratës se dhënë në polici dhe ka pohuar se është goditur nga Mustafa, me shkelm tek këmba.

Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk kërkon kompensim për dëmin e shkaktuar, mirëpo i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës së ngritur me 9 korrik 2018, Ramadan Mustafa akuzohet se me 23 qershor 2018, rreth orës 12:00, në fshatin Shajne të Komunës së Dragashit, me dashje përdor forcë ndaj të dëmtuarit Xhemail Bajrami.

Sipas aktit akuzues, vepra kryhet në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të ditës kritike, ku i dëmtuari kishte shkuar të parcela e vet dhe aty kishte takuar të pandehurin Ramadan Mustafa me tre persona të tjerë, ku ia kishte tërhequr vërejtjen këtij të fundit, duke i treguar se parcela është e tij dhe nuk bën të punohet aty.

Në aktin akuzues thuhet se i dëmtuari kishte vërejtur persona të panjohur duke bërë matjen e vendit dhe i kishte pyetur se çfarë po bëjnë aty, përse po e masin atë vend që është pronë e tij, në të cilat çaste edhe kishte filluar sulmi, ku i pandehuri e kishte goditur me shqelma të dëmtuarin.

Me këto veprime ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “sulmit”, e paraparë me nenin 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.