25-04-2024

dënohet me 28 mijë euro i akuzuari për ushtrim ndikimi në vendimmarrjen e prokurores në Prokurorinë e Prizrenit

28 mijë euro është dënimi me gjobë që Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shqiptuar ndaj të akuzuarit për ushtrim ndikimi të kryer në bashkëkryerje, Rizan Hoxhaj.

Ndryshe në këtë rast, të akuzuar janë edhe Bajram Gashi dhe Dardan Hoxhaj, mirëpo që ndaj të akuzuarit Rizan Hoxhaj gjykata në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 maj 2021 ka veçuar procedurën penale meqenëse i njëjti ka arritur marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë.

Ky aktgjykim është shpallur të premten nga gjykatësi Vesel Ismajli, pasi që paraprakisht është aprovuar marrëveshja për pranim të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ismajli, i’a ka mundësuar të akuzuarit që dënimin me gjobë ta paguaj me katër këste brenda afatit një vjeçar, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, dhe atë më 1 qershor, 1 tetor, dhe 1 dhjetor të këtij viti si dhe këstin e fundit me 1 maj 2022.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit të kësaj marrëveshje, prokurori special, Dren Paca ka deklaruar se kjo marrëveshje me të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Sylë Hoxha, është bërë konform dispozitave ligjore, duke i propozuar gjykatës aprovimin e saj.

Me rastin e negocimit të marrëveshjes, sipas prokurorit Paca, të akuzuarit fillimisht i ishte rekomanduar dënimi me burgim prej një viti e gjashtë muaj, i cili dënim nuk ishte pranuar nga ky i fundit.

Sipas prokurorit Paca, i akuzuari Hoxhaj dhe avokati i tij kishin insistuar që ndaj Hoxhaj të shqiptohet një dënim me gjobë, ashtu që sipas prokurorit të njëjtive u ishte propozuar dënimi me gjobë në shumë prej 28,000 deri në 30,000 mijë euro, e cila duhej të paguhej brenda afatit prej 15  ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“I pandehuri dhe mbrojtësi i tij të cilët kanë insistuar që të pandehurit ti shqiptohet dënim me gjobë duke qenë se edhe kodi penal parashihte si dënim alternativ dënimin me gjobë, atëherë të njëjtit si dënim me gjobë i është propozuar dënimi në shumë prej 28,000 deri në 30,000 euro duke i’a lënë në diskrecion gjykatës që në mes të këtyre shumave apo siç gjykata e sheh të arsyeshme, ti shqiptoj të pandehurit dënimin, pasi që me këtë shumë palët janë pajtuar është nënshkruar marrëveshja për pranim të fajësisë sipas së cilës, shuma të cilën gjykata do ta caktoj i pandehuri Rizan Hoxhaj, do të obligohet që ta paguaj brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në të kundërtën kjo shumë do të zëvendësohet me dënim me burg ashtu që për çdo 20 euro të dënimit me gjobë të caktohet një dënim me burg”, tha prokurori Paca.

Aprovimin e kësaj marrëveshje e ka kërkuar edhe i akuzuari Hoxhaj me mbrojtësin e tij, me pretendimin se e njëjta ishte arritur në mënyrë vullnetare pas konsultimeve të mjaftueshme ndërmjet tyre.

Mirëpo, që avokati Hoxha, gjykatës i ka propozuar që sa i përket dënimit me gjobë, të akuzuarit ti mundësohet pagesa e gjobës me këste në afat prej një viti.

“Ne i propozojmë gjykatës që, prapë po them, duke i patur parasysh edhe kushtet ekonomike të të mbrojturit tim, dënimi i rekomanduar prej 28,000 të aprovohet nga gjykata, mirëpo sa i përket pagesës, që e njëjta të paguhet në afatin prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ne konsiderojmë se edhe kjo është një ngarkesë pothuajse e papërballueshme për të mbrojturin tim dhe ne i propozojmë gjykatës që sa i përket pagesës së dënimit të propozuar t’i jepet një afat të cilindo ta vlerësojë gjykata, ndërsa ne propozojmë që të jetë një afat i pagesës në kohëzgjatje prej një viti dhe atë me rata si do t’i caktojë gjykata”, tha ai.

Me fjalën e mbrojtësit të tij është pajtuar edhe i akuzuari Hoxhaj duke shtuar se ka gjendje të dobët financiare dhe është rast social.

“Zoti gjyqtar tu e pa parasysh se gjendja jeme financiare nuk është e lakmueshme, unë jetoj me një social prej 90 euro, kërkoj nga ju që të merre parasysh gjendja ime ekonomike dhe të merret parasysh mendimi i avokatit tim që të caktohet një afat më i gjatë për pagesën e shumës së cekur në marrëveshje me qëllim që t’i përballoj më lehtë”, tha i akuzuari Hoxhaj.

Lidhur me afatin e pagesës së gjobës nga ana e të akuzuarit Hoxhaj, prokurori Paca ka konsideruar se afati për pagesën prej 15 ditësh është më i  favorshëm nga ajo çfarë fillimisht ishte rekomanduar nga ana e prokurorisë.

Ai ka shtuar se në seancën për negocim të marrëveshjes fillimisht prokuroria kishte qenë e mendimit që afati për pagesën e gjobës, të akuzuarit ti jepej deri në shqyrtimin fillestar të 5 majit 2021, por që sipas tij, kjo nuk kishte qenë  e mundur meqenëse gjykata ishte ajo që vendoste dënimin përfundimtar.

“Ne në fakt e kemi diskutu gjatë seancës së negocimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë dhe në fakt ne si prokurori kemi qenë të mendimit që të pandehurit si afat për pagesën e gjobës ti jepet data e shqyrtimit fillestar e cila ka qenë 5.5.2021, mirëpo meqenëse se sipas dispozitave të kodit të procedurës penale, është gjykata ajo e cila vendos dënimin apo gjobën përfundimtare si rrjedhojë edhe nuk kemi pasur mundësi që të ja caktojmë një afat të pandehurit kështu që ne jemi dakorduar që kjo të bëhet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e cila konsiderojë se në raport me atë çfarë fillimisht ne si prokurori kemi propozuar apo rekomanduar është përsëri më e favorshme për këtu të pandehurin”, tha Paca.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 prill 2021, Bajram Gashi, Rizan Hoxhaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën Ejup Statovci në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6000 euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante parat e kërkuara, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale qe ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ja dorëzon shumën prej 1000 euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ja dorëzon edhe shumën prej 5000 euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë parat në shumë prej 6000 euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.