Dënohet me 3.600 € për falsifikim punëtori i zyrës postare në Krushë të Madhe
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit Habib Hoti, zyrtar-punëtor sporteli në zyrën postare, në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke e dënuar me 3 mijë e 600 euro gjobë për falsifikim të dokumentit zyrtar. Ndërsa, u lirua nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hoti akuzohej se nuk i ka dërguar 91 dërgesa postare në adresat e klientëve, por ato i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij private. Ai po ashtu akuzohej se ka falsifikuar edhe 17 nënshkrime të klientëve.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Hoti, është shpallur të martën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Hoti, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”, i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, avokatit Myhedin Bekiri, i është zëvendësuar me gjobë, në shumën prej 3 mijë e 600 euro, e cila duhet të paguhet në afat prej tre muajsh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndërsa, gjykata ndaj të njëjtit ka marrë aktgjykim lirues sa i përket veprës penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, me arsyetimin se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale.
Ndryshe, i akuzuari Hoti, në seancën e 2 qershorit 2022, e kishte pranuar se kishte falsifikuar 17 nënshkrime të klientëve, ndërsa e kshte mohuar fajësinë se nuk i dërgoi 91 dërgesa postare.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Habib Hoti akuzohej se në periudhën kohore nga muaji shkurt e deri në muajin korrik të vitit 2021, në cilësinë e personit zyrtar-punëtor sporteli në zyrën postare në Krushë të Madhe, Komuna e Rahovecit, me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij.
Në aktin akuzues thuhet se këtë e ka bërë në atë mënyrë që nuk i ka dërguar 91 dërgesa postare të Postës së Kosovës në adresat e klientëve, dhe atë: 25 dërgesa postare të porositura “R” dhe lajmërim-marrje “LM”, 14 dërgesa “CN” ndërkombëtare, 34 dërgesa të thjeshta ndërkombëtare dhe 18 dërgesa të thjeshta vendore, por dërgesat i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij private, ashtu që me këto veprime i ka shkaktuar dëm Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” Sh.A.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i njëjti me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, ka falsifikuar nënshkrimet e klientëve, në atë mënyrë që ka nënshkruar në librin zyrtar të protokollit në postë, në emër të klientëve për 17 dërgesa postare se kinse të njëjtat i kanë pranuar klientët, e që dërgesat nuk i ka shpërndarë fare, por i ka mbajtur të fshehura në bagazhin e veturës së tij privat.
Më këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.