26-04-2024

Dënohet me 6,500 euro gjobë ish-inspektori i Prizrenit i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Prizren, të premten e ka dënuar me 6,500 euro gjobë të akuzuarin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Enver Bytyqi.

Bytyqi akuzohej se në cilësinë e inspektorit në Komunën e Prizrenit, nuk e kishte rrënuar një objekt ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit “Shigjeta e Pashtrikut”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Bytyqi u dënua me gjashtë muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij, dënimi me burg iu zëvendësua pastaj në dënim me gjobë. Dënimin me gjobë, i akuzuari mund të paguaj në katër këste.

Paraprakisht, mes mbrojtjes së të akuzuarit dhe Prokurorisë Themelore në Prizren, ishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

I akuzuari Enver Bytyqi tha se me vetëdije të plotë, pa presion, pa ndikim dhe pas konsultimeve me mbrojtësin e tij, avokatin Sylë Hoxha ka lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Para shpalljes së aktgjykimit, avokati Hoxha kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve me mundësi të zëvendësimit në dënim me gjobë në lartësi prej 6,000 euro.

Edhe prokurori Mehdi Sefa deklaroi se në tërësi mbetet prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë duke shtuar se marrëveshja është arritur pa kurrfarë presioni apo kërcënimi, por me vullnet nga të dy palët.

Pas deklarimeve të palëve, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Raime Elezi, aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjykata Themelore në Prizren, më 27 korrik 2020 e kishte dënuar Bytyqin me 1 vit e 6 muaj burgim efektiv.

Por, ky dënim ishte anuluar pas ankesave të mbrojtjes së të akuzuarit.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e mbrojtjes është e bazuar pasi që koha e kryerjes veprës penale nuk ishte vërtetuar në mënyrë të plotë nga gjykata e shkallës së parë.

Gjithashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk i kishte vërtetuar në mënyrë të plotë as faktet që lidhen me elementin e figurës së veprës, që është mos përmbushja e detyrës si dhe dashjen dhe qëllimin e të akuzuarit, si elemente qenësore të veprës penale.

Apeli e kishte udhëzuar shkallën e parë që në rigjykim, t’i rishqyrtojë provat në këtë çështje penale duke i vlerësuar të gjitha provat një nga një, të saktësojë detyrimet ligjore të të akuzuarit si kompetencë e tij dhe të vlerësojë mos përmbushjen e atyre detyrimeve si kompetencë dhe të vërtetojë saktësisht kohën e kryerjes së veprës penale.

Po ashtu, Apeli kishte kërkuar që në rigjykim të merret në pyetje pronari i NTSH “ Shigjeta e Pashtrikut”, për të vërtetuar saktësisht veprimet e të akuzuarit në raport me këtë ndërmarrje investuese për ndërtim.

Ndryshe, për këtë rast ishte akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”. Ai e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare dhe ishte dënuar me 7 mijë euro gjobë.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore Prizren, më 19 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Bytyqi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2016 – 2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit, duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, e kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Hamiti. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.