Dënohet për mosdeklarim të pasurisë kuvendarja e Malishevës
Asamblistja e Komunës së Malishevës, Filloreta Bytyqi, e akuzuar për mos deklarim të pasurisë, të mërkurën, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Mirëpo, dënimi me burg ndaj saj nuk do të ekzekutohet, nëse ajo brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E akuzuara Bytyqi, po ashtu, obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 40 eurosh, si dhe 40 euro për kompensimin e viktimave.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarës është shpallur nga gjykatësi i rastit, Njazi Morina, pasi ajo paraprakisht kishte pranuar fajësinë për veprën penale.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 2 gusht 2019, asamblistja Bytyqi, e kishte pranuar fajësinë, duke shtuar se ky nuk ishte veprim i qëllimshëm, pasi që mos deklarimin e pasurisë e kishte bërë vetëm me një ditë vonesë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2018, Filloreta Bytyqi akuzohet se nga data 1 mars e deri më 31 mars 2018, si këshilltare në Asamblenë Komunale në Malishevë, edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, ajo nuk ka respektuar ligjin, pasi që nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formular për periudhën kohore nga 1 janar – 31 dhjetor 2017.
Në aktakuzë thuhet se me këto veprime, e akuzuara Filloreta Bytyqi ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi