Dënohet sërish me mbi 3 mijë euro gjobë ish- shefi i Shërbimeve Publike në Malishevë
Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, pas rigjykimit përsëri e ka shpallur fajtor ish-shefin e Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku.
Ai po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Lexo edhe:
Hajnat ia thyen veturën në parking, i vodhën para mërgimtarit nga Suhareka
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani, i akuzuari Mazreku fillimisht është dënuar me gjashtë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, me pëlqimin e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Emrush Kastrati, dënimi me burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3,400 euro.
Sipas gjykatësit Komani, i akuzuari Mazreku është obliguar që të dëmtuarës, përkatësisht Komunës së Malishevës t’ia kompensojë edhe dëmin e shkaktuar në shumën prej 8,728.90 euro.
Ai i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Ndryshe, i akuzuari Mazreku fillimisht akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mirëpo në fund të rigjykimit prokurori Ramiz Buzhala e ka bërë rikualifikimin e veprën penale në atë të falsifikimit të dokumentit zyrtar.Për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 20 janar të këtij viti, e kishte dënuar Mazrekun me gjashtë muaj burgim, i cili më pas me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumën prej 3,400 euro, dënim të cilin më pas e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.
Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 korrik të këtij viti i ka anuluar aktgjykimet e themelores dhe apelit, duke e kthyer kështu rastin në rivendosje në shkallën e parë.Gjykata Supreme duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati Emrush Kastrati, i ka anuluar aktgjykimet e themelores dhe apelit, dhe e ka kthyer rastin në rivendosje në shkallë të parë.Supremja ka gjetur se aktgjykimi i themelores është në kundërshtim me dispozitivin e aktgjykimit, arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurimit, arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitivin, dhe se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm.
“Nga të gjitha këto rezulton se edhe pretendimi në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për atë se nuk është vërtetuar në mënyrë ligjore dashja e të dënuarit për kryerjen e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal, për tani është i bazuar”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Supremes.Ndryshe, sipas aktakuzës së pandryshuar, e ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku fillimisht akuzohetj se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së.