24-11-2024

Dënohet sulmi fizik ndaj infermieres në spitalin e Prizrenit

Këshilli Drejtues i Spitalit të Përgjithshëm ”Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ka reaguar ashpër ndaj sulmit fizik ndaj infermieres në repartin e Pediatrisë në vendin e saj të punës, por nuk ka dhënë sqarime se përse ka ndodhur rasti, shkruan  ‘Gazeta e Prizrenit’.

Në reagim thuhet se më datën 17.08.2019, pas orës 01.00 në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”në Prizren, në vendin e punës, është sulmuar fizikisht infermierja S.Ç. Infermierja është sulmuar nga nëna (dhe motra e saj) e një fëmije, i cili ishte hospitalizuar për trajtim mjekësor në repartin e pediatrisë. Pas sulmit infermierja ka marrë trajtim mjekësor.

“Këshilli Drejtues (KD), pavarësisht rrethanave se si ka ardhur deri te sulmi, dënon ashpër sulmin fizik ndaj infermieres, S.Ç., që në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon jetën dhe mirëqenien e infermieres, duke qenë në vend të punës dhe në shërbim të pacientëve të hospitalizuar në spital”, ,

KD kërkon nga institucionet kompetente që sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë, në rastin konkret ndaj infermieres, S. Ç., të trajtohen me seriozitet, ashtu siç është e paraparë me Ligjin, me qëllim që të ruhet integriteti i punëtorëve shëndetësorë, të jenë të sigurt në vendin e punës dhe mos të pengohen në ofrimin e shërbimeve shëndetësore ndaj të gjithë pacientëve dhe qytetarëve pa asnjë dallim”,  thuhet në reagim.

“KD konstaton se çdo sulm ndaj punëtorëve shëndetësorë, aq më tepër në vendin e punës, është i papranueshëm dhe i dënueshëm”.

Këshilli Drejtues konsideron se është koha që institucionet kompetente të veprojmë konform ligjit në mbrojtje të punëtorëve shëndetësorë, që ata ta kenë një ambient të qetë dhe të sigurt për ofrimin e shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve.

“Këshilli Drejtues nga opinioni publik kërkon që të kenë mirëkuptim ndaj punëtorëve shëndetësorë, sepse punëtorët shëndetësore me punën e tyre rrezikojnë edhe jetën për t’u dalë në ndihmë dhe për të ofruar shërbimet shëndetësore për pacientë dhe qytetarët në përgjithësi”. /GazetaePrizrenit.net

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.