02-12-2024

Ish-mësimdhënësi kërkon pagat pas pensionimit, Komuna e Malishevës konteston ato jubilare

Ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-mësimdhënësi, Ali Krasniqi, po kërkon nga Komuna e Malishevës, respektivisht Drejtoria për Administratë, kompensimin e pagave përcjellëse dhe pagave jubilare, të cilat pretendon se i takojnë pas pensionimit, bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Në fjalën e tij përfundimtare, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, përfaqësuesi i paditësit, avokati Agron Kryeziu, ka propozuar që pas administrimit të provave, të aprovohet kërkesëpadia e paditësit, për kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare, në lartësi prej 2733 euro, të cilat sipas tij, i takojnë paditësit me rastin e pensionimit.

Krahas kërkesës për kompensimin e pagave, avokati Kryeziu, ka kërkuar të paguhen edhe shpenzimet procedurale në shumën e përgjithshme prej 260 euro.

Foto 19.08.2019

Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj, ka deklaruar se pagesën e pagave përcjellëse nuk e konteston, por kontestuese sipas tij, mbeten pagat jubilare, me arsyetimin se Kontrata Kolektive e vitit 2015, sipas tij, është nënshkruar në mes të sindikatave.

Ai ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e paditësit sa i përket pagave jubilare ta refuzojë si të pabazuar.

Ali Krasniqi, më 27 maj 2019, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për kompensimin e pagave pas pensionimit dhe shpërblimit jubilar, duke u bazuar në nenin 52 dhe 53 të Kontratës Kolektive, e cila ka hyrë në fuqi me 1 janar 2015, si dhe Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar e lidhur në mes të SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në padi thuhet se edhe pse paditësi Krasniqi, kishte punuar në Shkollën e Mesme të Ultë “Ganimete Terbeshi”, në Astrazub, Komuna e Malishevës, prej vitit 1974 deri në vitin 2016, nga Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim nuk ka marrë këto pagesa shtesë edhe pse u njihet kjo e drejtë, bazuar në Kontratën Kolektive, dhe Ligjin e Punës.

Sipas padisë, e paditura Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim (DKAE) në Malishevë, ka refuzuar kërkesën verbale, duke e njoftuar paditësin me njoftim me shkrim me arsyetimin se DKAE, në Komunën e Malishevës nuk është nënshkruese e Kontratës Kolektive, dhe se nuk ka kurrfarë obligimi për pagesat  e tri pagave pas pensionimit dhe tri pagave për shpërblim jubilar.  /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.