22-06-2024

Deputetët të zhgënjyer me çmimin e listës së barnave, Haxhiu: Pati rritje deri 300 për qind për disa produkte

Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale diskutoi për listën zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, për këtë çështje problematike ende u konsiderua konflikti i interesit, raporton Ekonomia Online.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se rreth 40 për qind të barnave kanë mbetur jashtë kësaj liste duke shtuar se ka rritje të çmimeve për 50 për qind.

“Kemi analizuar listën e çmimeve dhe jemi zhgënjyer, sepse ka pas ulje të çmimeve dhe ngritje, na del rritje 50 për qind dhe 300 për qind për disa produkte. AKPM-ja të njoftoi për mazhën e fitimit në tregtinë më shumicë dhe pakicë, nëse shkoni në barnatore nuk ka aspirin me 2 euro”, tha Haxhiu.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, kërkoi të thirret në diskutim ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

“Për këtë çështje duhet ta thërrasim ministrin, janë tri katër elemente që tregojnë paaftësinë, neglizhencën edhe pas një viti. Kjo çështje nuk duhet të kalojë në heshtje duhet marrë përgjegjësi”, tha Zemaj.

Virtyte Krasniqi, nga AKPPM-ja tha se ligji është në procedim e tutje.

“Ky ligj është kërkuar që 20 vjet dhe merr kohe për implementim, është në fazën e ankesave. Vendimi i anuluar nga ministri ka ndodhur për faktin se dispozitat nuk janë trajtuar sipas ligjit”, tha ajo.

“Komisioni ka verifiku çmimet që janë të deklaruara me mirëbesim, kjo listë është dinamike, çdo listë duhet të rigjenerohet çdo muaj rishqyrtim kemi me pas gjatë gjithë kohës. Nuk kam bazë ligjore për me iu referu produkteve në treg, vetëm importit”, tha Krasniqi.

Kadri Bytyqi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, shtroi çështjen në diskutim se një anëtar nga Oda e Farmacistëve është shkarkuar nga puna duke mos qenë i informuar.

Krasniqi nga AKPPM-ja, tha se shkarkimi është bërë për shkak se anëtari në fjalë ka qenë destruktiv.

“Ka ardh ka mbajt takime ka lëshuar fjalë por asnjëherë nuk ka bë ankesë për mos transparencë. Nuk ka pas fshehje të gjithë kanë pas dilema, ai ka pas qëllim vetëm prolongimin e procesit”, tha Krasniqi.

Asnjë koment

Comments are closed.