Deputeti prizrenas Abrashi: Asociacionin nuk e solli VV-ja, e gjetëm si barrë nga partitë e ish-pushtetit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Artan Abrashi, teksa ka folur për draftin Asociacionit, për të cilin ka deklaruar se ende nuk e ka parë, ka theksuar se pozicioni i Qeverisë është i qartë dhe nuk ka dyshime lidhur me këtë çështje.

Abrashi ka deklaruar se edhe pse është ende në fazën e pritjes për versionin zyrtar të draftit të Asociacionit, LVV-ja nuk ka qenë përgjegjëse për sjelljen e saj në tavolinë bisedimesh me Serbinë.

Ai ka theksuar se kjo është pasojë e kompromiseve të bëra nga partitë tjera, duke përmendur PDK-në dhe LDK-në.“Kur të del versioni zyrtar ne do ta shohim se çka është përmbajtja e tij, edhe po të doli ne do të shohim se deri kur do të shkojë implementimi saj, Mirëpo Asociacionin nuk e solli LVV-ja, atë e gjeti në këtë mes, e në këtë mes dihet kush e ka sjellë, PDK-ja e LDK-ja edhe disa të tjerë”, ka deklaruar ai në FIVE.

Sipas tij, Asociacioni është krijuar si rezultat i kompromiseve të gabuara nga partitë e ish-pushtetit.

Ai duke e quajtur si hipokrizi përpjekjet e tyre “sesi e shtynë vetë përpara këtë proces dhe sot dalin e na mbajnë neve ligjëratë dhe moral politik sesi nuk bën të bëhet Asociacioni e gjëra të tilla, kjo është një paturpësi”.

Abrashi ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet për ta larguar dhe sipas tij këtë po e bën.

“Kurti është duke dhënë maksimumin e tij, qoftë përmes veprimeve institucionale që është duke i ndërmarrë në veri të vendit, qoftë përmes tavolinës së bisedimeve që të krijojë situatë që sa ma shumë do të zbusin dëmet e kompromiseve që janë bërë nga qeveritarët e kaluar”, ka thënë ai.

“Nuk do të jetë lehtë kjo punë, por e kemi theksuar dhe e kemi paralajmëruar se do të vijë koha kur Kosovës do t’i rrezikohet implementimi i marrëveshjeve të dëmshme jo vetëm Asociacioni por mund të ketë edhe diçka tjetër. Por mos të harrojmë se duhet me i adresu përgjegjësit”, ka deklaruar tutje ai.

Lexo edhe:

Prizren: Ja pse dështoi mbledhja e Kuvendit Komunal për faljen e 100 eurove për tatimin në pronë