28-04-2024

Shpallet fituesi i ndërtimit të centralit solar në Rahovec, Kurti: Investohen mbi 70 milionë euro

Me çmim 48.88 euro për MWh, konzorciumi “Orllati” me kompani nga diaspora në Zvicrër, Gjermania dhe Kosova është shpallur sot fituesi i ankandit të parë solar në  Kosovë. Nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se përzgjedhja është bërë në një proces konkurrues e transparent, me një çmim të favorshëm për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në Kramovik të Komunës së Rahovecit.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky proces ka filluar në vitin 2022, teksa u përmbyll sot.

Lexo Edhe:

Prizren: Zbrazja e rrugëve gjatë kohës së iftarit ( Video )

“Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike, si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se si Qeveri synojnë që të  punojnë të krijojnë një sektor energjetik që është i sigurt.

Me shtimin e 100 megavatëve të ri në prodhimin e energjisë, kryeministri Kurti veçoi se me to ulim varësinë nga importi i  shtrenjtë i energjisë elektrike, ku për t’i realizuar kapacitetet, kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Ankandi Diellor prej 100 megavatëve, të cilin e përmbyllin sot, është i pari proces i tillë konkurrues, që vendos një gurthemel të sektorit të ri të energjisë në Kosovë.

“Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh, ashtu që të sigurohemi se ekonomia e shkallës do të garantonte një çmim sa më të volitshëm të energjisë për qytetarë tanë”, theksoi ministrja, duke shtuar se është insistuar që ankandi të bëhet në tokë publike, në lokacion specifik të paracaktuar, ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë. / Gazeta Express

 

Asnjë koment

Comments are closed.