25-04-2024

Dëshmitari thotë se i akuzuari kishte qenë në krye të paramilitarëve që kishin kryer krime lufte dhe se ia vrau djalin e axhës

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Sylë Imeri, tha se i akuzuari Dushko Arsic, ka qenë në krye të paramilitarëve që kishin kryer krime lufte dhe se ia kishte vrarë djalin e axhës F.I.

Këtë deklarim, dëshmitari Imeri e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Dema, në gjykimin ku i akuzuari Dushko Arsic po ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Krimet i kanë bërë paramilitarët serbë në krye me Dushko Arsicin”, tha dëshmitari Imeri, duke u kthyer në drejtim të të akuzuarit dhe shtoi “me këtë zotëriun këtu”.

Dëshmitari tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në Polici, duke shtuar që kishte dhënë deklaratë në UNMIK në vitin 1999 për krimet që ishin kryer në shtëpinë e tij, pasi të njëjtit i ishin vrarë pesë familjarë.

I njëjti po ashtu tha se në prill të vitit 1999 ishin kryer shumë krime në fshatin e tij në Zllatar, duke theksuar se nuk kishte mundur t’i identifikonte kryerësit e krimeve në këtë rast pasi që ishin të maskuar.

Dëshmitari Imeri tha se të akuzuarin Arsic e njihte prej që ishte i vogël, pasi që afër shtëpisë së familjes së tij ishte një shitore ku dëshmitari furnizohej me gjëra ushqimore dhe se të njëjtin e njihte si kriminel.

“Më duhet me thonë që Dushko osht një kriminel shumë i fortë, e njoh si kriminel edhe osht kriminel”, tha dëshmitari Imeri.

I njëjti, po ashtu tha se në prill në vitin 1999 kur kishin arritur te ura në fshatin Makoc, i kanë parë paramilitarët serbë duke luajtur futboll, ku sipas tij aty kishte qenë edhe i akuzuari Arsic, ku kishte tentuar të fshihte fytyrën, por që dëshmitari Imeri tha se e kishte parë.

Dëshmitari Imeri tha se aty i akuzuari Arsic kishte pasur kallash në dorë dhe në ato momente aty paramilitarët serbë i kishin mbledhur disa të rinj shqiptarë përfshirë edhe djalin e dëshmitarit dhe se i kishin hipur në një veturë që nuk e dinte se ku i kishin dërguar, por që pas një kohe të njëjtit i kishin kthyer.

Dëshmitari Imeri tha se i akuzuari Arsic nuk kishte tentuar t’i ndalte krimet që kishin ndodhur.

Në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Arsic, avokatit Nebojsha Vllajiq, dëshmitari Imeri tha se rastin që i kishte ndodhur në shtëpinë e tij në Zllatar, e kishte lajmëruar rastin në vitin 1999 dhe se ish-prokurorja Carla Del Ponte me ekipin e saj kishin qenë në vend të ngjarjes.

Në pyetjet e të akuzuarit Arsic, dëshmitari Imeri tha se nuk e kishte thënë në asnjë deklaratë se çfarë ngjyre i kishte pasur flokët i akuzuari.

Ndër të tjera, dëshmitari Imeri tha se i akuzuari Arsic ia kishte vrarë edhe djalin e axhës F.I dhe se për një gjë të tillë ishte i sigurt, pasi e shtëna kishte ndodhur nga shtëpia e të akuzuarit Arsic në Matiçan dhe se kishte qenë gjuajtje profesionale.

Në pyetjet e gjykatëses Suzana Çerkini, dëshmitari tha ishte i sigurt që personi që e kishte parë në Makoc kishte qenë i akuzuari Arsic, i veshur në uniformë dhe se kishte kallash në dorë dhe se po atë moment sipas dëshmitarit një fqinj i tij kishte thënë “kuku Dushko koka ktu”.

Ai tha se nuk kishte mundur që të identifikonte të akuzuarin Arsic në ditën kur ia kishin vrarë familjen në Zllatar. Kurse, shtoi se para luftës, me familjen e të akuzuarit Arsic nuk kishin pasur as raporte të mira e as të këqija, e as nuk ishin përshëndetur ndonjëherë.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Arsim Maqedonci, i cili tha se nuk e njihte të akuzuarin, duke shtuar se mbetet pranë deklaratave të dhëna në Polici dhe se të dëmtuarin A.K., e njihte pasi që ishin nga i njëjti fshat.

Maqedonci tha se në shtëpinë e tyre në Butovc, në vitin 1999 ishin të vendosur ushtria serbe dhe se i dëmtuari A.K i kishte thënë se të njëjtit aty e kishin ndaluar dhe se i kishin thënë ta merrte me vete një person i cili kishte qenë i plagosur- tani i ndjeri B.Sh, e të cilin e kishte lënë në mal.

Dëshmitari tha se lidhur me personin e plagosur B.Sh, i cili kishte ndërruar jetë, pas luftës në vitin 2000 kishte shkuar në mal me babain e tij dhe i kishin parë eshtrat e tij dhe se më pas e kishin njoftuar policinë.

Ai tha se vendi i quajtur “varrezat e Maqedoncve” ishte larg diku rreth 700-800 metra prej vendit ku ishte gjetur kufoma.

Po ashtu, shtoi se i dëmtuari A.K në momentin kritik ishte nisur në drejtim të Prishtinës, duke shtuar se ai i kishte thënë se ishte rrahur nga ushtria serbe.

I njëjti tha se për të ndjerin B.Sh, i dëmtuari A.K kishte thënë që ishte i plagosur e jo i vrarë dhe se A.K., ushtria serbe e kishte detyruar ta bartte, e që e kishte lënë në mal. Maqedonci tha se pasi kishin gjetur eshtrat e të ndjerit, ishin bindur se i dëmtuari A.K nuk kishte gënjyer për ngjarjen.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Rafet Shala, i cili është vëllai i të ndjerit B.Sh, i cili tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe se të dëmtuarin A.K e njeh prej pas një jave që kishte varrosur vëllanë e tij.

Shala tha se vëllai i tij ishte varrosur pas rreth një viti pasi që ishte vrarë, duke shtuar se trupin e tij e kishte gjetur S.M., tanimë i ndjerë dhe se i njëjti i kishte njoftuar përmes një familjari dhe se pasi që kishte shkuar në vend të ngjarjes dhe kishte parë rrobat, e kishte kuptuar që kishte qenë kufoma e vëllait të tij.

Po ashtu, tha se i dëmtuari A.K i kishte treguar që ditën kritike ushtria serbe e kishe rrahur dhe maltretuar, ku pasi që kishte rënë në tokë aty kishte shkuar tani i ndjeri B.Sh dhe posa kishte filluar të ikte, ushtria serbe kishte filluar të shtinte në drejtim të tij.

Sipas dëshmitarit Shala, i dëmtuari i kishte thënë që ai nuk kishte parë kush kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit B.Sh, por vetëm kishte dëgjuar dhe se tutje paramilitarët serbë i kishin thënë ‘merre këtë shqiptar dhe çoje në mal;, ku i dëmtuari A.K kishte thënë sipas dëshmitarit “unë prej tute nuk kisha qare”.

Po ashtu, dëshmitari Shala tha se kur e kishte pyetur të dëmtuarin A.K., se a i kishte thënë ndonjë gjë tani i ndjeri B.Sh, i dëmtuari i kishte thënë se ai vetëm i kishte thënë “për rize të Zotit mos më le vetëm”  dhe më nuk kishte mundur të fliste dhe ai tutje e kishte lënë kufomën sipas dëshmitarit.

Ndërsa, dëshmitari tha se atëherë nuk ishte bërë obduksioni, dhe shtoi se në deklaratat e dhëna në Polici kishte pasur stres dhe se nuk i ishin kujtuar emrat, e se tani po i kujtohet që i dëmtuari e kishte përmendur të akuzuarin.

Tutje, i njëjti tha se i dëmtuari A.K i kishte përmendur problemet shëndetësore.

Në pyetjet e gjykatëses Çerkini, dëshmitari Shala tha se i dëmtuari A.K., kishte qenë i shqetësuar edhe kur kishte shkuar te ai për ta parë për vëllanë e ndjerë dhe se e kishte përmendur ngjarjen që kishte ndodhur pasi ai kishte vuajtur edhe vetë.

Dëshmitari Shala tha se shpresonte që kryerësi i kësaj vepre penale të merrte dënimin meritor, pasi që thotë se vëllai i tij i ndjerë B.Sh kishte qenë i pafajshëm.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua dëshmitari Gani Krasniqi, babai i të dëmtuarit A.K., i cili tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici, duke shtuar se kishte qenë në shtëpinë e Azem Krasniqit kur djali i tij- i dëmtuari A.K., kishte ardhur i gjakosur.

I njëjti tha se kishte dyshuar nëse ishte në ëndërr kur e ka parë djalin e tij të gjakosur dhe në ato momente e kishin pyetur të njëjtin se çfarë kishte ndodhur, ku i dëmtuari A.K i kishte thënë që e kishin rrahur Dragani dhe Bobani.

Tutje, dëshmitari Krasniqi tha se e njeh të akuzuarin Arsic, duke shtuar se i njëjti çdo herë kishte armë me vete kur shkonin të merrnin drunjtë në mal dhe pohoi se një gjë të tillë e kishte parë me sytë e tij, por që me të njëjtin nuk kishte biseduar kurrë.

Dëshmia e dëshmitarit Krasniqi mbeti në gjysmë, pasi që nuk ishte mirë me shëndet.

Seanca e radhës ku pritet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve pritet të mbahet më 13 qershor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arsic më 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15 vjeçare.

Sipas aktakuzës, Arsic bashkë me paramilitarë tjerë serbë, të veshur me bluzë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heq çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arsic  i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psiqik.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se më pas është shkrepur arma automatike si pasojë e së cilës e sheh rrëzuar në tokë një person, e që më vonë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh. nga fshati Trudë. Pas kësaj, thuhet se i akuzuari Arsic i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “përpara nënën ja …., shiko ky terroristi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, dy ushtarë tjerë që ishin në afërsi të të plagosurit B., njëri prej tyre i është drejtuar të akuzuarit Arsic me fjalët “mos e vrit, ky është i gjymtuar, edhe ti ke vëlla të gjymtuar”, e në ato momente i dëmtuari A.K., i ka vërejtur edhe dy persona tjerë të nacionalitetit serbë, të quajtur Dragan Niçiç dhe Boban dhe pas një bisede i ka pyetur të njëjtit “pse bre koshi kjo kështu”, Bobani i ishte përgjigjur “kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji”. Kurse, Dragan Niçiç i ishte drejtuar në gjuhën shqipe “kape për duar këtë terrorist dhe shko tregoju terroristëve tjerë se çfarë ka me ju gjet”, e që për shkak të këtyre veprimeve i dëmtuari A.K. i vuan pasojat edhe sot e asaj dite në aspektin fizik dhe psiqik.

Me këtë, Arsic akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.