Dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit dhe dy zyrtarëve të Dragashit
Mos dorëzimi i shkresave të lëndës nga Prokuroria Themelore në Prizren, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj ish-drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtijari, si dhe dy zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Avni Nebiu dhe Selajdin Nebiu, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për konflikt interesi.
Seanca fillestare ndaj tyre, ishte paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, pasi që të akuzuarit kanë deklaruar se ata nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, është pamundësuar mbajtja e shqyrtimit fillestar.
Prokurori Metush Biraj, ka deklaruar se ai vetëm e ka zëvendësuar në këtë seancë kolegun e tij, përkatësisht prokurorin e çështjes, Mehdi Sefaj, i cili siç ka thënë ai gjendet në pushim vjetor, duke kërkuar që t’i lejohet që tu dorëzojë të akuzuarve nga një kopje të provave.
Gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit fillestar, andaj ka marr vendim që shqyrtimi fillestar të ndërpritet, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar me 15 korrik 2019, në ora 13:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.
Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.
Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.
Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi.