29-10-2026

Nga drejtori rajonal te majori, kapiteni e komandantët – këta janë zyrtarët e lartë policorë të suspenduar pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Zhvillime të reja kanë ndodhur në Policinë e Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës. Në mesin e zyrtarëve të suspenduar janë drejtues të lartë të Policisë Rajonale në Pejë, përfshirë drejtorin rajonal, majorin, kapitenin, komandantët dhe shefat e sektorëve të hetimeve e operativës.

Suspendimet vijnë pas nisjes së veprimeve hetimore dhe verifikuese nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti i viktimës përpara se ajo të vritej.

  • Agron Hasanaj – Drejtor rajonal i Policisë në Pejë.
  • Ndue Nikolla – Major, shef i Hetimeve Rajonale.
  • Faik Jahmurataj – Kapiten, komandant i Stacionit Policor në Pejë.
  • Dervish Hasanaj – Zëvendëskomandant dhe shef i Operativës në Stacionin Policor në Pejë.
  • Sami Lekaj – Komandant i Nënstacionit Policor në Vitomiricë.
  • Faruk Muqolli – Shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë.

Përveç tyre, në mesin e të suspenduarve përmenden edhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike.

Suspendimi i zyrtarëve të këtyre niveleve drejtuese përbën një zhvillim të rëndësishëm në kuadër të shqyrtimit të përgjegjësisë institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kujtojmë se viktima kishte kërkuar ndihmë dhe masa mbrojtëse nga institucionet vetëm disa ditë përpara se të vritej.

Gazeta Sinjali kishte raportuar për dokumentin e datës 22 tetor, përmes të cilit Arlinda kishte kërkuar masa urgjente mbrojtëse nga Prokuroria Themelore në Pejë.


Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprime për të verifikuar nëse zyrtarët policorë kishin respektuar procedurat ligjore gjatë trajtimit të raportimeve të viktimës dhe nëse kishte pasur veprime apo mosveprime institucionale.

Këto suspendime pasojnë edhe vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës për suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe koordinatores për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.

Ndaj dy zyrtareve të prokurorisë janë iniciuar procedura disiplinore për të vlerësuar përgjegjësinë e mundshme gjatë trajtimit të rastit.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të fuqishme publike dhe kërkesa për përgjegjësi nga institucionet që kishin qenë të përfshira në trajtimin e raportimeve të saj.

Suspendimet janë masa të përkohshme dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të përgjegjësisë së zyrtarëve.

Asnjë koment

Comments are closed.