16-05-2024

Dështon seanca në rastin ku paditësi kërkon t’i kthehet mësimdhënies

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në çështjen civile ku paditësi Dalip Toplana, kërkon kthimin në vendin e punës si mësimdhënës.

Duke pretenduar se ndërprerja e marrëdhënies së punës ishte bërë pa bazë juridike, ai më 20 qershor 2017 e kishte paditur Drejtorinë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës.

Seanca e caktuar të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë nuk është mbajtur, kjo pasi që ka munguar përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Agron Kryeziu.

Gjyqtari i rastit, Haki Kryeziu, deklaroi përfaqësuesi i palës paditëse, Agron Kryeziu ka njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantojë në seancën e së hënës, pasi që ai ka një lëndë penale në Prokurorinë e Shtetit në Prishtinë, dhe ka kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Avokati publik komunal, Mujë Sahitaj ishte në seancë dhe nuk e ka kontestuar propozimin e përfaqësuesit të palës paditëse që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërsa, gjyqtari Kryeziu seancën e radhës e caktoi më 21 nëntor 2018, në ora 9:30.

Sipas padisë, Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Komunën e Malishevës me datën 31 gusht 2016, paditësit Dalip Toplana nga Kijeva, i kishte ndërprerë marrëdhënien e punës pa njoftim dhe pa vendim, dhe vetëm pas datës 5 shtator 2016, ishte njoftuar nga drejtori i shkollës se iu është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Paditësi Toplana, sipas padisë, kishte parashtruar ankesë në Drejtorin për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, por paditësit vetëm i është premtuar me fjalë gojore se do të sistemohet brenda një kohe të shkurtër, ku më pas kjo nuk kishte ndodhur.

Në padi thuhet se paditësi me një ankesë tjetër i drejtohet Inspektoratit të Punës për kthimin në vendin e punës, mirëpo ankesa i refuzohet nën arsyet se ka kaluar afati ligjor për ankesë.

Ndryshe, sipas padisë, paditësi Toplana, ishte profesor i lëndës së matematikës, ku ka ligjëruar që nga viti 1999, dhe ka qenë në programin për avancim profesional dhe i ka pasur të gjitha trajnimet e duhura për mësimdhënie, dhe 16 vite përvojë pune si mësimdhënës i lëndës së matematikës në Shkollën e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë, Komuna e Malishevës./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.